2010-09-09 08:26:29

64 vjetori i kryengritjes antikomuniste në Postribë


Përkujtojmë sot kryengritjen Antikomuniste organizuar në Postribë, 64 vjet më parë. Ishte pra 9 shtatori i vitit 1946, që shënoi revoltën e parë antikomuniste e me përmasa të mëdha, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burra të Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi, Rrethinave, Oblikës e më gjerë, e kështu u shtri në një kryengritje të vendosur shqiptare antikomuniste, e cilësuar e para e këtij në Shqipëri. Një pjesë e protagonistëve të kësaj ngjarje historike për Shqipërinë dhanë jetën, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të errëta e mizore të periudhës së diktaturës komuniste.
Kryengritja e Postribës e 9 shtatorit 1946, qe e motivuar dhe e organizuar. Që në fillim postribasit dhe jo vetëm ata ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e tyre nuk ishte komunizmi. Ata e dinin se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar në Zotin, i cili u vërtetua me një përndjekje e tortura të pashembullta, e kështu sakrifikuan jetën e tyre dhe atë të familjeve.
Në kryengritje nuk morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënjuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri
Kur përkujtojmë këtë ngjarje, vlerësojmë faktin se shqiptarët qenë gjithmonë njerëz që e kërkuan lirinë, qenë të parët që flijuan jetën për liri dhe qe vërtet sakrificë e madhe e paguar me gjak, me jetë, me sulme e me përndjekje që regjimi komunist i bëri Postribës, Shkodrës e tërë popullit për ta mbajtur pastaj nën hijen e frikës dhe burgut, duke shkatërruar edhe të gjithë shoqërinë shqiptare,të gjithë shqiptarët, që kaluan një kalvar të tmerrshëm, një periudhë nën errësirë të plotë të zhytur në vlera antinjerëzore, antishpirtërore, antimorale e antishqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.