2010-09-08 14:33:09

Në tetor në Spanjë takimi i përvitshëm për paqen organizuar nga komuniteti Kishtar i Shën Egjidit.


Pra, nga data 3 deri më 5 tetor, do të zhvillohet në Barcelonë të Spanjës takimi për paqen, promovuar e organizuar nga Bashkësia Kishtare e Shën Egjidit, sivjet në bashkëpunim me dioqezën katalane. Është fjala për një takim ndërkombëtar për paqen në botë, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të Kishave të krishtera dhe të feve të tjera, së bashku me eksponentë të botës së kulturës e të politikës ndërkombëtare.
Në takim mes tjerësh, do të marrin pjesë përfaqësues të Këshillit ekumenik të Kishave, të Patriarkanës së Moskës, përfaqësues të Udhëheqjes së Federatës luterane botërore e të Këshillit metodist botëror, përfaqësues të hebraizmit e të islamit nga 16 Vende të ndryshme e delegacione të feve të mëdha të Azisë,
Takimi ndërkombëtar për paqen organizohet nga Bashkësia e Shën Egjidit, e këtë vit realizohet në bashkëpunim me kryedioqezën katalane. Tema e sivjetme është: “Të jetojmë së bashku në kohë krize. Familja e popujve, familje e Zotit”, zgjedhur për të sjell “shpirtin e Asizit” në Spanjë. “Në një kohë të vështirë krize ekonomike e konfliktesh rajonale që krijojnë pasiguri, frikë e çorientim - lexohet në një komunikatë të shën Egjidit - fetë shtrojnë pyetjen për të gjetur në dialog energjitë shpirtërore për t’i ofruar një bote që është pa vizion e këndej pa të ardhme”.
Kujtojmë se takimet vjetore të shën Egjidit filluan pas mbledhjes historike që u mbajt në Asizi të Italisë me Papën Gjon Palin II, në vitin 1986. Në qytetin e shën Françeskut, Papa Wojtila iu lut Hyjit bashkë me përfaqësues të të gjitha feve për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes në botë. Që nga ajo kohë, takimi zhvillohet vit për vit në një qytet të ndryshëm. Spanja e konsideron takimin ndërkombëtar për paqe si më të rëndësishmin, që mbahet pikërisht para udhëtimit apostolik të Benediktit XVI, i cili më 7 nëntor do të shugurojë tempullin “Sagrada Familia” - “Familja e Shenjtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.