Më 8 shtator kalendari Kishtar feston Lindjen e së Lumes Mari Virgjër
Më 8 shtator kalendari Kishtar feston Lindjen e së Lumes Mari Virgjër, shenjë e bekimit
të Zotit që i dhuroi Jezusin njerëzve. Pra,sot me 8 shtator Kisha kremton festën
e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër. Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë
në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai që e shtini këtë festë në
kalendarin liturgjik të Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare
e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës
së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti. Burimi kryesor i zanafillës
së kësaj feste gjendet në Ungjillin apokrif të shekullit të II e këndej ka një traditë
shumë të lashtë. Joakimi e Ana ishin të shtyrë në moshë, nuk arrijnë të kenë fëmijë
e atëherë Joakimi ankohet tek Zoti, i cili i kumton se do të ketë një foshnje, një
vajzë. Ky është tregimi që kemi në Ungjillin e Jakobit. Maria pastaj edukohet në tempull
të Jerusalemit e pikërisht afër këtij tempulli, në Mesjetë, kryqtarët kanë ndërtuar
njërën nga bazilikat më të bukura të Tokës së Shenjtë, pikërisht në përkujtim të Lindjes
së Virgjërës Mari. Lindja e Virgjërës Mari lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me
ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje dhe fryt i shëlbimit. Agim që i paraprin
diellit të drejtësisë, Maria i paralajmëron mbarë botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit.
Është, prandaj, guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re.
Errësira e natës tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi i ditës së re, që na sjell lirinë
në vend të robërisë së ligjit të vjetër. Gjithë krijesa këndon nga gëzimi i kësaj
dite, njerëz e engjëj bashkohen për të marrë pjesë në kremtimin e liturgjisë së sotme.
Është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi tempullin e vet, dita në të cilën,
përmes një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesë e zgjedhur e Krijuesit.
Festa e sotme, që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen
me ndërmjetësinë e Vashës së Nazaretit. Krishterimi me emërtime të ndryshme e nderon
Virgjërën Mari dhe Atë ia paraqet besimtarëve si shembull e shkollë feje (besimi),
shërbimi e përkushtimi ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Pse? Sepse “Virgjëra Mari është
shenjtërorja e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar.”
Koncili Kishtar i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë hyjnore të Marisë duke
e quajtur Theotókos, sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u bë njeri Biri i Zotit,
që jetoi mes nesh. E duke mbërritur përmes shekujsh tek Koncili II Ekumenik i
Vatikanit vëmë re se në këtë Koncil Maria u shpall “fytyrë e Kishës e shembull i shkëlqyer
i besimit dhe i dashurisë”, duke nënvizuar kështu në mënyrë të veçantë qenien e saj
shembull për Kishën. “Kisha, gjatë gjithë jetës së saj, e mban me Nënën e Zotit një
lidhje që në misterin e shpëtimit, rrok të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe
e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit dhe ndërmjetësuese hiresh Hyjnore”.