2010-09-06 18:19:33

Benedikti XVI vizitoi vendlindjen e Papës Leonit XIII


Papa Benedikti XVI gjatë vizitës së djeshme në qytezën Carpineto Romano, me rastin e 200 vjetorit të lindjes së Papës Leonit XIII, ka propozuar lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet krishterimit e promovimit njerëzor. Një gërshetim, ky, i rilexuar në homelinë e Atit të Shenjtë Racinger përmes viteve të Papnisë së Gioacchino Pecci, lindur në qytezën e Lazios më 2 mars 1810. Benedikti XVI kujtoi në mënyrë posaçme, magjisterin e Leonit XIII duke nënvizuar se si baza e Papnisë së tij qe besnikëria ndaj Ungjillit. E është kjo besnikëri që mbush me përmbajtje dhe i jep kuptim edhe çështjes sociale, apo doktrinës shoqërore.

Vizita e Papës Benediktit XVI në Carpineto Romano qe një takim i shkurt por i jashtëzakonshëm me besimtarë e qytetarë t kësaj dioqeze të vogël e të gjallë, e përqendruar mbi figurën e Papës Leonit XIII. Benedikti XVI gjatë homelisë së Meshës, para mijëra besimtarësh kujtoi dhurata shpirtërore që Papa Gioacchino Pecci i la Kishës e njerëzimit dhe duke iu referuar kontributit të tij të pamohueshëm në fushën e doktrinës shoqërore të Kishës, nënvizoi që “të krishterët, duke vepruar si qytetarë të veçantë, ose në formč shoqatash, përbëjnë një forcë pozitive, të mirë e pajtuese që ndihmon në ndryshimin e përmirësimin e thellë të indit shoqëror”.
Trashëgimia e Leonit XIII qe thellësisht e lidhur me primatin e Zotit. Të ndjekësh Krishtin - pohoi Racinger - është punë e “vështirë” dhe “impenjuese” e nuk mund të varet prej “entuziazmave e oportunizmave”. Duhet të jetë një “vendim mirë i peshuar dhe i menduar” që merret pasi të kesh pyet ndërgjegjen: kush është Jezusi për mua? “Zoti është përtej arritjeve e aftësive tona, dhe planet e tij janë të pashqyrtueshëm” mirëpo në Krishtin - tha Papa Benedikti XVI - gjejnë “përgjigjen e pyetjeve të njeriut të çdo kohe që e kërkon të vërtetën mbi Zotin”.
Referimi themelor ndaj Fjalës së Zotit - shtoi Benedikti XVI - na kujton dy aspekte të jetës e të veprimtarisë së Atit të Shenjtë Leonit XIII, fenë e madhe e të gjallë dhe përshpirtërinë e thellë. “Kjo mbetet gjithmonë bazë e çdo gjëje, për çdo të krishterë, përfshi këtu edhe Papën. Pa lutje drejtuar Hyjit, do të thotë pa bashkim të brendshëm me Zotin, nuk mund të bëjmë asgjë, siç thoshte qartë Jezusit duke iu drejtuar nxënësve të vet gjatë Darkës së Mbrame (khr Gjn 15,5)”.
Fjalët dhe veprat e Papës Pecci na ofrojnë “religjiozitetin e tij të thellë”. Ndër Enciklikat e Letrat Apostolike të tij, mendimi që përshkon të gjitha, është ai i natyrës shpirtërore, kushtuar posaçërisht rritjes së përshpirtërisë mariane. E në këtë katekizëm që përshkon 25 vjetët e Papnisë së Leonit XIII, ruhen edhe “dokumentet mbi Krishtin Shëlbues, mbi Shpirtin Shenjt, mbi shugurimin e Zemrës së Krishtit, mbi përshpirtërinë e shën Jozefit, mbi shën Françeskun e Asizit” e tjerë.
“Të gjitha këto elemente të ndryshme janë shprehje e një realiteti të vetëm: dashuria e Zotit dhe e Krishtit, para së cilës dashuri asgjë nuk duhet vënë. Dashuria e Zotit themel e kulm i çdo gjëje.







All the contents on this site are copyrighted ©.