2010-09-05 10:25:07

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 5 shtator, Kisha kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar e po sot më 5 shtator, kalendari kishtar kremton festën liturgjike të së Lumën Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiun, themeluese e Misionareve të dashurisë, bijë e motrë shqiptare, Nënë e Engjëll i të varfërve.
Siç dihet, sivjet kremtohet 100 vjetori i lindjes që bie më datën 26 gusht e sot më 5 shtator përkujtojmë 13 vjetorin e kalimit të saj në amshim, e festën shpirtore e Kishtare të Nënë Terezës.

Ky përvjetor e kjo festë liturgjike kremtohet në të gjitha Kishat në trevat shqiptare e në mbarë botën, me kujtimin përherë të gjallë të mesazhit që e Lumja Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiu u la besimtarëve e të gjithë njerëzve vullnet mirë: ta duam Zotin mbi çdo gjë e të afërmin porsi vetveten.
Gjithnjë këtë të diele më 5 shtator kalendari shënon edhe kujtimin e shën Erkolanit e Taurinit, martirë.
 
Nesër e hënë 6 shtator, kalendari kishtar Shën Zakarinë, profet; Shën Onesiforin, nxënës i shën Palit apostull.
 
Të martën e ardhshme më 7 shtator, kalendari kishtar kujton shën Regjinën, virgjër e martire, shën Guidon, ipeshkëv të Arecos;
 
Të mërkurën më 8 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Lindjes të Lumës së Mari Virgjër. Kjo festë te populli shqiptar njihet me emrin festa e Zojës së Vogël. Gjithnjë më 8 shtator, kalendari kishtar kujton edhe shën Sergjin I, papë.
 
Të enjten e ardhshme më 9 shtator, kalendari kishtar kujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar; shën Gorgonin, martir.
 
Të premten më 10 shtator,do të përkujtohet shën Nikola nga Tolentino, meshtar agostinian.

Të shtunën që vjen më 11 shtator, kalendari kishtar kujton shën Protin e Jaçintin, martirë të Romës.

Të dielën e ardhshme më 12 shtator, kisha kremton të dielën e 24-të gjatë vitit e po këtë datë kalendari përkujton edhe festën e Emërit të Shenjtë të së Lumes Mari Virgjër e shën Guidon e Brabantit.







All the contents on this site are copyrighted ©.