11. Jezusi, mësues i urtisë. Në qendër të vëmendjes, në emisionin e 11-të të rubrikës
‘Shëmbëlltyrat’, Jezusi si mësues i urtisë. Kur kumton Ungjillin, duke vijuar
traditën sapienciale (e urtisë) biblike, që e ka zanafillën tek Salomoni, Krishti
tregohet mësues i vërtetë i urtisë, domethënë, i mënyrës si duhet të mendojë e si
duhet të sillet njeriu me mend në kokë. “Ai, që nuk është i pamend, por i urtë, sillet
në përkim me urtinë e vullnetin e Zotit”, na mësojnë shëmbëlltyrat, që i kushtohen
urtisë. Janë gjashtë e fillojnë nga ajo, që flet për ndërtuesit, të cilët e ndërtojnë
shtëpinë mbi shkëmb (Mt 7, 24-25; Lk 6,47-49): Ai që dëgjon Fjalën e Zotit, e që e
shtie në punë, “i përngjan njeriut i cili, kur e ndërtoi shtëpinë e vet, e mihi dheun
thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Vërshoi uji, lumi u vërsul mbi atë shtëpi,
por ajo nuk u tund, sepse i kishte themelet mbi shkëmb. Kurse ai, që e dëgjon Fjalën,
por nuk e vë në veprim, i ngjet njeriut, i cili e ndërtoi shtëpinë përmbi dhe, pa
themel! U vërsul mbi të lumi e e rrëzoi sakaq: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe”. I
urtë, pra, është ai që e vë në jetë fjalën e Jezusit. I urtë ai që, kur mendon
të ndërtojë një kullë, ulet më parë për të llogaritur shpenzimet që duhet të bëjë
për t’ia dalë mbanësh punës së nisur. Që kur të hedhë themelet e të mbetet puna pa
kryer, të mos e vërë në lojë gjithkush, duke thënë: “Nisi një punë, por nuk qe i zoti
ta kryejë!” (Lk 14,33). Është i urtë mbreti që, kur niset të luftojë kundër një
mbreti tjetër, ulet më parë të pleqërojë a mund t’i bëjë ballë me dhjetëmijë ushtarë.
Në se nuk mundet, i çon lajmëtarët, në sa është ende larg, e i kërkon kushtet për
paqe (Lk 14, 31-33). I urtë është edhe ai që, duke dashur të vihet për udhë pas
Jezusit e të bëhet dishepull i tij, i llogarit mirë forcat, që të mund ta përballojë
udhën e re, tejet të vështirë, e të mos lodhet që në çapin e parë, në sa Zoti i
kujton: “Në se nuk i bie mohit pasurisë, nuk mund të jesh dishepulli im” (Lk 14, 33). Është
i urtë edhe skllavi besnik, që zotëria e vuri mbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë
ushqimin në kohën e duhur! I lumi ai, që kur të vijë zotëria, do ta gjejë duke vepruar
si e pati porositur. Do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet (Mt 24,45-51). Janë të
urta pesë, nga dhjetë vashat, që duke dashur ta shoqërojnë dhëndrin në dasmë, u nisën
me dritëza, për t’i dalë para. Por duke menduar se dhëndri mund të vonohej, morën
me vete aq vaj, sa duhej për t’i mbajtur dritëzat ndezur gjithë natën. E kur, rreth
mesnatës, u dha lajmi: erdhi dhëndri; ato u çuan, rregulluan dritëzat e veta e hynë
bashkë me të në dasmë. Ndërsa pesë të tjerat, që ishin marroqe, morën me vete dritëzat,
por jo vajin. E me që iu desh ta kërkonin andej-këndej, arritën vonë. Trokitën në
portë, por porta nuk u hap. Bërtitën atëherë: “Zotëri, o Zotëri, na e hap portën!”.
Por ai u përgjigj: “Përnjëmend po ju them: unë nuk ju njoh!”. Prandaj, na mësojnë
shëmbëlltyrat kushtuar Urtisë, të urtë janë ata dishepuj të Jezusit që, duke e pritur
ardhjen e tij, e cila mund të vonojë, madje shumë, nuk dremisin, rrinë zgjuar, të
gatshëm, në shërbim të Zotit, me dritëzat ndezur. Këtë na kujtojnë shëmbëlltyrat
sot: “Rrini zgjuar, se nuk e dini as ditën as orën”.