2010-09-05 10:58:45

Papa Gjon Pali II kujton Nënë Terezën, gruan e vogël që diti të kryejë vepra të mrekullueshme dashurie për të afërmin.


Në festën liturgjike që Kisha katolike kremton në nderim të së Lumes Nënë Terezë, që bie pikërisht në ditën e kalimit të saj në amshim, po propozojmë për dëgjuesit tanë disa fragmente nga fjalët që Papa i madh Gjon Pali II tha në raste të ndryshme për figurën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës.
 
Fjalët e Atit të Shenjtë Gjon Palit II në kryevjetorin e vdekjes së Nënë Terezës më 5 shtator 1998:


Pikërisht një vit më parë, në mbrëmjen e 5 shtatorit, vdiste në Kalkutë Nënë Tereza. Kujtimi i saj është i gjallë në zemrën e secilit nga ne, në mbarë Kishën e në mbarë botën. Kjo grua e vogël, e ardhur nga një familje e thjeshtë, me forcën e besimit në Zotin, diti të kryejë një vepër të mrekullueshme dashurie për të afërmin.
Në të vërtetë Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfrit më të varfër; e njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë së saj të jashtëzakonshme për të mjerët, qe e mbetet dhuratë e jashtëzakonshme për Kishën e për botën. Ajo ia dhuroi plotësisht vetveten Zotit, gjë që e përsëriste çdo ditë në lutje. Ishte pikërisht kjo dhuratë bërë Zotit, ajo që e çoi në dhurimin e plotë të vetvetes në shërbim të të afërmit.
Në buzëqeshjen, në gjestet, në fjalët e Nënë Terezës, Jezusi vijoi të ecte në rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vijon ta bëjë këtë përmes misionareve e misionarëve të bamirësisë, që formojnë familjen e madhe të themeluar prej saj. T'i falënderojmë bijtë e bijat e bamirësisë për rrugën thellësisht ungjillore që kanë zgjedhur e të lutemi t'i qëndrojnë gjithnjë besnikë karizmës që Shpirti Shenjt ia ka frymëzuar Themelueses së tyre.
Të mos e harrojmë shembullin e madh që na la Nënë Tereza e të mos mjaftohemi ta kujtojmë vetëm me fjalë! Të marrim guximin për ta vënë gjithnjë në vendin e parë njeriun me të drejtat e tij themelore. Udhëheqësve të Kombeve u them: mos u mbështetni tek forca e armëve! Ecni, përkundrazi, në rrugën e çarmatimit, për t'i përdorur burimet e nevojshme në shërbim të qëllimeve të mëdha të qytetërimit e për të luftuar të bashkuar kundra urisë e sëmundjeve, në mënyrë që çdo njeri të mund të jetojë e të vdesë si njeri. Këtë do Zoti, e pikërisht këtë na e ka kujtuar, përmes dëshmisë së Nënë Terezës.
Na ndihmoftë e na shoqëroftë nga qielli!
***

Në Letrën drejtuar Nënë Nirmalës më 2 tetor të vitit 2000, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Motrave të Bamirësisë, Papa kujton:


"Më 7 tetor 1950, në Kalkutë, në kapelën e vogël pranë Creek Lane n. 14, Kryeipeshkvi Perier përcaktoi se themeluesja dhe njëmbëdhjetë shoqet e saj kishin vënë bazat e një Kongregate rregulltare të së drejtës dioqezane. Ky çast hiri arriti pas një procesi të gjatë të shqyrtimit të vullnetit të Zotit nga ana e Nënë Terezës, e cila kishte dëgjuar "thirrjen brenda thirrjes". Kjo thirrje fillestare u bë një rrymë e fuqishme hiri brenda Kishës, sepse Kongregata u rrit në një mënyrë që nuk mund as të përfytyrohej 50 vjet më parë….
Pikërisht 15 vjet pas 7 tetorit 1950, më 1 shkurt 1965, Papa Pali VI i njihte me Decretum laudis Motrat e Bamirësisë si Kongregatë e së drejtës papnore. Që atëherë familja e Misionareve të Bamirësisë mblodhi fryte të begata, sepse Zoti i dhuroi Nënë Terezës Motrat kundruese dhe Etërit misionarë: bashkëpunëtorë aktivë e kundrues. Shumë njerëz të të gjitha besimeve, ose pa kurrfarë besimi, janë impenjuar në këtë vepër dashurie, e cila është përhapur në mbarë botën falë frymëzimit dhe udhëheqjes së Nënë Terezës: "Ja vepra e Zotit: një mrekulli përpara syve tanë!".
**********


Në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e familjeve adoptive, organizuar nga Misionaret e Bamirësisë më 5 shtator 2000 në Vatikan, Papa Gjon Pali II, ndërmjet tjerash, u tha: "Patët dëshirë ta kremtoni jubileun tuaj në ditën që përkon me përvjetorin e tretë të vdekjes së Nënë Terezës. Është një mënyrë shumë domethënëse për të shprehur vullnetin që të ndiqni Krishtin në gjurmët e kësaj bije të jashtëzakonshme të Kishës, që e shkriu plotësisht vetveten, duke bërë mirë, për hatër të Zotit. Si mund ta harrojmë? Duke kaluar vitet, kujtimi i saj bëhet më i gjallë se kurrë. E kujtojmë me buzëqeshjen e saj, me sytë e saj të thellë, me rruzaren në duar. Na duket sikur e shikojmë ende duke ecur nëpër rrugët pafund të botës, në kërkim të më të varfërve ndër të varfër, gjithnjë gati për t'i hapur kufij të rinj bamirësisë, gati për t'u siguruar një strehë të gjithëve, si nënë e vërtetë.
2. Është diçka e zakonshme ta quash "Nënë " një rregulltare. Po për Nënë Terezën kjo fjalë merrte një kuptim të veçantë. Nëna e vërtetë njihet nga aftësia për të dhuruar vetveten. Vetëm në se i vërejmë mirë sjelljet e Nënë Terezës e mënyrën e saj të jetesës, do të mund të kuptojmë ç'do të thoshte për të fjala Nënë, përtej përmasës thjeshtë fizike: është kjo që e ndihmoi të arrinte në rrënjët e amësisë.
E njohim mirë të fshehtën e saj: ishte përplot me Krishtin. E prandaj i shikonte të gjithë me zemrën e me sytë e Krishtit. I kishte marrë seriozisht fjalët: "Pata uri e më dhatë të ha". Prandaj s'pushonte s'i bëri bij në shpirt të varfrit. Dashuria e saj ishte konkrete: e shtynë të shkonte atje ku pak e kush merr guximin të shkojë, atje ku mjerimi ishte aq i madh, sa me të shti frikën.
Nuk çuditem, prandaj, pse njerëzit e kohëve tona mrekullohen prej saj. Ajo mishëroi atë dashuri, që Jezusi e ka cilësuar si disktinktiv për nxënësit e tij: "Nga kjo do t'ju njohin se jeni dishepujt e mi, nga dashuria për njëri-tjetrin".


3. Ndërmjet veprave që gurruan nga zemra e Nënë Terezës është edhe lëvizja për bijësimet. Prandaj sot janë mbledhur këtu kaq shumë familje, që janë bërë me bij e bija falë veprimtarisë së Nënës Terezës e motrave të saj. Të bijësosh një fëmijë, është vepër e madhe dashurie. Të bën të japësh shumë, por po aq edhe të jep. Është shkëmbim dhuratash.
E koha jonë njeh edhe në këtë kahje shumë kontradikta. Përballë fëmijëve të shumtë të cilët, për shkak të vdekjes ose të pamundësisë së prindërve, mbeten pa familje, shumë çifte vendosin të mos kenë fëmijë për shkaqe që, në shumicën e rasteve, janë egoiste. Të tjerë, duke dëshiruar një fëmijë me çdo kusht, kapërcejnë deri kufijtë e ligjshëm të shkencës mjekësore e të moralit, duke shikuar vetëm interesat e veta.
Përballë kësaj prirjeje të diskutueshme, vetë ekzistenca e shumë fëmijëve pa familje, të këshillon bijësimin si rrugë konkrete dashurie….
….
"Lëreni fëmijët të vijnë tek unë!". Këtyre fjalëve të Krishtit u bëri jehonë Nënë Tereza kur u tha nënave që donin të abortonin: " M'i falni mua fëmijët tuaj!".

********
Më 3 shkurt 2003, në letrën që Papa Gjon Pali II i drejton eprores së Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë, Nënë Nirmala Joshit, me rastin e Kapitullit VIII të përgjithshëm, thekson: "Është hera e parë që mblidheni në një takim kaq të madh, nga e gjithë bota, pas vdekjes së Themelueses, Nënë Terezës. Ndiqeni shembullin e Nënës për t'i çuar paqe e gëzim të varfërve të botës. Kisha e Krishtit ua kumton Ungjillin të gjithëve, por për të varfirt ka një dashuri të veçantë, sepse dashuria e krishterë nuk është thjeshtë vepër bamirësie: është takim me vetë Krishtin ndër të varfrit, duke pasur parasysh se Zoti është pasuria e vërtetë e zemrave njerëzore. ..
Kur vdiq Themeluesja juaj, pata kujtuar se ajo qe gjithnjë përplot me forcën shpirtërore që i buronte nga dashuria e Krishtit. Kjo e bëri Misionare të bamirësisë me fjalë e me vepra. Me ndihmën e heshtjes së kundrimit, ua çoi dashurinë e Krishtit atyre, ndër të cilët gjeti vetë Krishtin. Ju jeni trashëgimtaret e saj shpirtërore, bijat e saj të dashura. Shembulli i saj do t'ju japë forcë ta vini në jetë thirrjen tuaj për t'i shërbyer më të varfërve ndër të varfër.

Në një takimin me ipeshkvijtë indianë të ritit latin, të premten më 23. 05.2003 mendimi i Atit të Shenjtë nuk mund të mos shkonte te Nënë Tereza, dita e beatifikimit të së cilës po afrohet. "Jeta e saj, plot me flijim të gëzueshëm e dashuri të pakushtëzuar për të varfrit, zgjoftë në shpirtin tonë dëshirën për të bërë të njëjtën gjë" - uroi Papa - duke i ftuar ipeshkvijtë e Indisë të marrin shembull nga "thjeshtësia, përvujtëria e bamirësia" - virtyte të jashtzakonshme të motrës imcake shqiptare, Nënës së madhe të njerëzimit, që shkriu jetën për të vafrit e Indisë në atë masë, sa të njihet nga e gjithë bota me emrin: "Nënë Tereza e Kalkutës".







All the contents on this site are copyrighted ©.