2010-09-05 10:24:35

Biografi e shkurtër e Papës Leonit XIII që i hapi rrugën doktrinës shoqërore të Kishës


(05.09.2010 RV)Vizita e Papës Racinger në Karpineto Romano u bë në 200-vjetorin e lindjes, më 2 mars 1810, të Vinçenc Joakin Peçit, papës, që më vonë do të merrte emrin Leoni XIII. I gjashti i shtatë vëllezërve nga një familje me autoritet dhe thellësisht katolike, Vinçenci i ri studioi fillimisht në kolegjin e jezuitëve në Viterbo, për të shkuar më pas në Romë, në Kolegjin Romak. Pasi u pranua në Akademinë e Fisnikëve Kishtarë, e cila përgatiste diplomatët e Selisë së Shenjtë, u regjistrua edhe në Universitetin e Romës “La Sapienza”, ku mori diplomën në vitin 1835. U shugurua meshtar në vitin 1837 e kremtoi meshën e parë në kishën e Shën Andreut në Kuirinale, në bashkëkremtim me të vëllain jezuit, kardinal i ardhshëm. Në vendet që shkoi si nunc iu krijua mundësia për të parë nga afër kushtet e jetesës së punëtorëve e sidomos, veprimtarinë politike e shoqërore të katolikëve belgë.
Në vitin 1846 u emërua ipeshkëv në Peruxha, ku qëndroi për 32 vjet. Kjo periudhë u karakterizua nga ndryshime epokale, me konfirmimin e lëvizjes kombëtare për bashkimin e Italisë dhe me humbjen e pushtetit politik nga ana e Kishës. Në vitin 1853, pasi u krijua kardinal, punoi shumë në sensibilizimin e besimtarëve për solidaritet me të varfërit, me punëtorët e shfrytëzuar dhe me fëmijët, që fillonin punën para kohe. Që në atë kohë, u tregua i aftë të interpretonte “shenjat e kohës”. Të kësaj periudhe janë Letrat baritore “Kisha Katolike dhe shekulli XIX” (1876) dhe “Kisha e Qytetërimi”(1877). Në të dyja, bie në sy refuzimi i ndarjes së prerë ndërmjet bashkësisë politike e asaj fetare dhe kërkesa për konfrontim, për të gjetur një pikë të përbashkët takimi.
Në vitin 1877, kardinal Peçi u emërua Kamerleng i Kishës. Pas vdekjes së papës së atëhershëm Piu IX, më 7 shkurt 1878, kardinajt zgjodhën kamerlengun në udhëheqje të Kishës, më 20 shkurt, me emrin Leoni XIII. Në Enciklikat e tij të para gjeti vend situata e kohës, realiteti i krijuar pas krijimit të shteteve, të ndara nga Vatikani. Në marrëdhëniet me ta, Papa ndoqi rrugën e pajtimit, duke punuar me sekretarët e shtetit të Vatikanit dhe me diplomacinë e Selisë së Shenjtë për t’u lidhur me shtetet evropiane e me ato përtej Atlantikut.
Papa u kujdes edhe për aspektin baritor e shpirtëror, përmes enciklikave të tjera mbi martesën e krishterë e familjen, mbi devocionin marian e Rruzaren Shenjtë; ia kushtoi njerëzimin Zemrës së Krishtit në Vitin Jubilar 1900 e po ashtu, shkroi shumë në fushën teologjike e filozofike, sidomos përsa i përket studimit të Shën Tomës së Akuinit. Në vitin 1891, rithemeloi Spekolën e Vatikanit, duke vendosur teleskopin e parë (astrografin) në kullën e lashtë të Leonit IV në Vatikan.
Leoni XIII ishte shumë i lidhur me Urdhërin e Karmelit. Pikërisht në këmbët e tij, në vitin 1887, u gjunjëzua shenjtja e ardhshme karmelitane, shën Tereza e Jezusit Fëmijë, për t’iu lutur ta lejonte të hynte në kuvend, në moshën 15 vjeçare.
Sigurisht, kontributi më i shquar i këtij pape është Enciklika “Rerum Novarum sive de conditione opificum” (15 maj 1891), e cila i hapi rrugën doktrinës shoqërore të Kishës Katolike. Dokumenti fillon duke kundërshtuar “zgjidhjen socialiste” për pronën private, për të cilën kërkohen të drejtat dhe ligjshëmria, duke pohuar të drejtat e familjes kundër ndërhyrjes arbitrare të shtetit në “shenjtëroren” shtëpiake.
Në pjesën e dytë, Enciklika denoncon “shkandullin” e luftës së klasave, duke u kujtuar punëdhënësve dhe punëtorëve detyrat e tyre, për t’u zbatuar me drejtësi. Papa përvijon ide shumë interesante mbi përdorimin e përbashkët të pronës dhe mbi mënyrën e zgjidhjes së “çështjes së punëtorëve”, pra si t’i jepej fund shfrytëzimit të tyre. Shteti, thekson Leoni XIII, duhet ta mbrojë pronën private, ta mbrojë punën nga padrejtësitë, duke shmangur grevat dhe konfliktet, të mbrojë “të mirat shpirtërore” të punëtorit.
Që atëherë, papa kritikonte punën e papaguar të punëtorit dhe shfrytëzimin e tij dhe tregonte rrugët, përmes të cilave shoqatat e punëtorëve ose ato katolike mund të jepnin kontributin e tyre për përmirësimin e gjendjes. Nuk mungonte së theksuari në fund, nevojën e kthimit në jetën e krishterë, pasi bamirësia e dashuria, që vijnë nga Krishti – thoshte Papa – janë zonja e mbretëresha e virtyteve.
Papa i “gjërave të reja” u shua më 20 korrik 1903, duke i lënë Kishës një magjister të pakrahasueshëm, me rreth njëqind enciklika e shumë Këshillime e Letra Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.