2010-09-04 19:04:35

Presidenti Sejdiu për Kishën e re kushtuar Nënë Terezës në Prishtinë


Sot në Kishën e re katolike në Prishtinë u mbajt ceremonia me rastin e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë e më këtë rast Presidenti i Kosovë u drejtoi të pranishmëve fjalimin e tij. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, iu drejtua me një fjalë rasti pjesëmarrësve të ceremonisë, midis të cilëve ishin edhe ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, të dërguari të posaçëm të Papa Benediktit XVI, Imzot Zef Gashi, përfaqësues të lartë të Kishës katolike dhe besimtarë të shumtë katolikë.
Presidenti Sejdiu, në fillim të fjalës së tij, ai shprehu ndjenjën e thellë të respektit për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, dhe Imzot Nikë Prelën, të cilët kishin vënë gurin e themelit të katedrales. “Këta dy kolosë të Kosovës e bekuan gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë”, e cila e mban emrin e bijës sonë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiut, e cila botërisht u shpall “Personalitet i Shekullit XX”, duke e lartësuar emrin e Kosovës dhe të shqiptarëve, kudo në botë”, tha ai. Presidenti Sejdiu e cilësoi Katedralen Nëna Terezë si një objekt të rëndësishëm, jo vetëm fetar. Me këtë rast, ai citoi fjalët e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte thënë se kjo katedrale “do të jetë qendër e rëndësishme fetare, kulturore e fetare për të gjithë dhe gjithsesi do të jetë simbol i dritës, simbol i besimit dhe besimit në zotin i besimit në të mirat”.
Presidenti Sejdiu i cilësoi si vlerë të veçantë të Kosovës diversitetin dhe tolerancën. “Kosova përbën një mozaik të jashtëzakonshëm diversitetesh etnike, kulturore e shpirtërore, të cilat kanë jetuar gjatë shekujve së bashku dhe në harmoni të rrallë. Vetë shqiptarët e Kosovës, të cilët u përkasin besimeve të ndryshme, janë shembull i mrekullueshëm i harmonisë dhe i dashurisë me njëri-tjetrin dhe me të tjerët, pavarësisht se gjatë historisë morën përkatësi të ndryshme fetare”, theksoi ai.
Ipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi, i përshëndeti pjesëmarrësit e ceremonisë në emër të Papa Benediktit XVI, duke theksuar se dita e sotme është ditë e shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, e falënderoi Presidentin Sejdiu për mbështetjen e veprimtarive të shumta kulturore e përkujtimore, të zhvilluara në Kosovë, me rastin e 100 vjetorit të Nënës Terezë. “Presidenti Fatmir Sejdiu ka qenë mbështetësi i fuqishëm dhe i përhershëm i aktiviteteve tona në vitin jubilar të Nënë Terezës, dhe e ka shpallur Vitin e Nënës Terezë duke i dhënë këtij viti dimension më të zgjeruar jo vetëm për katolikët, por për të gjithë shqiptarët dhe qytetarët në Kosovë”, ka thënë Ipeshkvi Gjergji.
Në pjesën e fundit të ceremonisë së përurimit të Katedrales Nëna Terezë, Filarmonia e Kosovës ekzekutoi veprën e Mocartit “Requiem Mass”.







All the contents on this site are copyrighted ©.