2010-09-04 15:37:31

Porosia e Nënë Terezës për çdo njeri


Para disa ditësh, e pikërisht më 26 gusht 2010 kremtuam njëqindvjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Më 5 shtator përkujtojmë 13 vjetorin e kalimit të saj në amshim, ndërrimin e jetës. Sipas kalendarit liturgjik, Kisha Katolike më 5 shtator kremton edhe kujtimin liturgjik të së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës. Shenjtëria heroike e jetës së saj na siguron se vdekja për këtë jetë ka qenë lindja e saj për qiell.
Ndërsa ia ndjejmë mungesën, me të njëjtin intensitet gëzohemi se kemi në qiell një mike dhe një ndërmjetësuese si ajo.
Nënë Tereza na ka treguar se nuk ka varfëri më të dhimbshme në jetë se sa kur njeriu ndihet i pa dashur. Për ta shëruar këtë dhimbje, Zoti thërret secilin prej nesh të bëhet dashuria e Tij, prania dhe mëshira e Tij ndër më të varfërit e të varfërve, ndër të varfër materialë e shpirtërorë.
E kujtojmë Nënën Terezë për gëzimin e buzëqeshjes së saj, për ngrohtësinë e prekjes së saj. Një ditë, një i moshuar pa strehë iu afrua Nënës Terezë dhe i shtrëngoi dorën, pastaj i tha: “Prej kohësh nuk kam ndjerë ngrohtësinë e një dore njerëzore".
Por kujtimi i Nënës në ditën e festës së saj nuk mjafton. Edhe ne mund të sjellim një gëzim të pashprehur, shpresë dhe guxim në jetën e atyre njerëzve që kemi përreth, që vuajnë për mungesë ushqimi, për mungesë ilaçesh, veshjesh, shtëpish, por edhe për mungesë të një buzëqeshjeje, të një fjale të ngrohtë, të pranisë së një miku.
Të përgatitemi që të jemi gati të dhurojmë vetveten të tjerëve, të duam derisa të na dhembë. Kur një ditë do të shkojmë në shtëpinë e Zotit Qiellor, Ai do të na quajë të lumë e do të na thotë: “Atë që keni bërë për njërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë Mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.