2010-09-03 15:47:33

Papa ipeshkvijve evropianë: ripohimi i respektit për dhuratën hyjnore të Krijimit.


Të ripohohet “respekti i domosdoshëm e i pashmangshëm për dhuratën hyjnore të Krijimit”, përmes “një angazhimi të përtërirë e të përforcuar për mbrojtjen e mjedisit”: kështu shkruan mes tjerash Benedikti XVI në mesazhin e tij drejtuar kardinalit Péter Erdë, presidentit të Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës: organizëm që ka promovuar këtyre ditëve Shtegtimin e ipeshkvijve katolikë evropianë, e ndër ta është edhe kryeipeshkvi i Shkodrës imzot Angelo Massafra, mbi temën e ruajtjes së krijimit. Ky shtegtim që u nis nga Hungaria, sot përshkoi Sllovakinë e do të përfundojë të dielën e ardhshme në Shenjtëroren austriake të Mariacelit.

Siç përmendem, sot shtegtarët vizituar kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavën, ku gjatë një takimi mbi ruajtjen e mjedisit foli kardinali Peter Turkson, president i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe. Prelati pohoi se “mbrojtja dhe përkujdesja për ambientin janë përgjegjësi e çdo njërit” e sot është i nevojshëm një solidaritet global i fortë”. Kardinali Turkson më tutje tha se njeriu e natyra janë ngushtë të lidhur e nënvizoi se “respekti i jetës së çdo njeriu nuk mund të lihet apo të hidhet në një anë për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me prodhimin ekonomik”.
Po, çka pritet nga ky shtegtim e cilat janë frytet, të dëgjojmë atë Duarte da Cunha, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës.
“Para së gjithash për shtegtarët do të përfaqëson një kthesë apo kthim, që do të bartin si synim e si ndihmë për Konferencat ipeshkvnore të Vendeve të tyre. Ky do të jetë padyshim fryti i parë: ndoshta nuk do të jetë menjëherë i dukshëm, mirëpo me kohë do të mund të jenë shenjë prekëse dhe e dukshme në botë. Pastaj është mënyra e paraqitjes sonë ndaj natyrës e ndaj dhuratave të Zotit e si ta bëjmë këtë në mënyrë të duhur e të drejtë, pa hedonizëm e pa materializëm, por edhe pa asnjë interes tjetër ideologjik e politik".

Para mbrojtjes së krijimit, që do të thotë mbrojtjes së njeriut, ju i shikoni Kishat e krishtera të kontinentit të bashkuara në një frymë ekumenike....
"Ky interes për krijimin është një interes vërtet ekumenik. Pastaj është për t’u nënvizuar se në Kishën tonë katolike, ashtu si edhe brenda Kishave tjera, nuk mund të mos mendojmë, për çështjet që kanë të bëjnë me problematika që prekin mjedisin, natyrën e që gjithçka të jetë e qartë në këtë aspekt. Prandaj qëllimi i shtegtimi është edhe ai i informimit dhe i thirrjes për të reflektuar seriozisht e thellësisht për ruajtjen e mjedisit. Në këtë ka ende shumë për të mësuar, meqenëse çështja është shumë komplekse, nganjëherë karakterizohet edhe nga interesat ideologjike e ekonomike, që e pengojnë një vizion të qartë, edhe nga e vet anëtarëve të Kishës, e që shkon prapa opinionit publik të kontrolluar apo të manipuluar. Shtegtimi i ipeshkvijve në mbrojtje të mjedisit, ka edhe këtë qëllim, atë të vënies në pah që ky është një udhëtim, pra nuk është pikarritje apo pik nga e cila jemi të sigurt për gjithçka. Jemi akoma në udhëtim e sipër për të kërkuar, njohur e kuptuar më mirë".

“Kur Zoti, përmes Krijimit, i dha njeriut çelësat e Tokës, shpresonte se ai do të dinte ta përdorte këtë dhuratë të madhe, duke e shfrytëzuar me përgjegjësi dhe respekt”. Me këto fjalë kritike për shfrytëzimin e botës nga njeriu, Papa Benedikti XVI iu drejtua më 10 shtator 2009 një grupi nga organizatorët e Pavionit të Selisë së Shenjtë në Expozitën Ndërkombëtare të vitit 2008 në Saragoza të Spanjës, të cilët i priti në audiencë në Kastelgandolfo. Kujtojmë se ekspozita pati si temë atë të ujit.
“Sot, më tepër se kurrë, nënvizoi Papa, duhet t’i ndihmojmë personat ta konsiderojnë Krijimin shumë më tepër se një burim të thjeshtë pasurish për t’u shfrytëzuar nga duart e njeriut”.
Në fjalimin e shkurtër që u mbajti, Benedikti XVI i falenderoi organizatorët për ngritjen e pavionit, i cili ka qenë njëri nga më të vizituarit e më të vlerësuarit. Shpresojmë, tha Ati i Shenjtë Racinger, që ai të ketë ngjallur reflektimin e duhur mbi vlerën e ujit për jetën e njerëzimit.
Duke cituar enciklikën e tij “Caritas in Veritate”, Papa Benedikti XVI u ndal në marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë ndërmjet kujdesit për natyrën dhe respektit për kërkesat etike të natyrës njerëzore. Kur respektohet ekologjia e njeriut, edhe ajo ambientale përfiton, theksoi Ati i Shenjtë. Njeriu zbulon vlerën e brendshme të natyrës, nëse mësohet ta shohë atë ashtu siç është në të vërtetë, shprehje e një plani dashurie, që na flet për Krijuesin e për dashurinë e tij për njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.