2010-09-02 13:12:24

Përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe, dom Simon Filipaj në 11 vjetorin e vdekjes.


(02.9.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 2 shtator po kujtojmë 11 vjetorin e vdekjes së meshtarit shqiptar të kryedioqezës së Tivarit, mons. Simon Filipajn, përkthyesin e Biblës së plotë në gjuhën shqipe.
Figurë poliedrike, dom Simon Filipaj me veprimtarinë e tij në fushën biblike e teologjike, ka lënë në gjuhën shqipe kryeveprën botërore, Librin e Shenjtë, Biblën. Në përkthimin e plotë të Biblës, dom Simon Filipaj punoi tërë jetën me një përkushtim, dashuri e urti të jashtëzakonshme duke shkri të gjitha energjitë e dhantitë që Zoti i kishte dhuruar.
Krahas veprimtarisë meshtarake në famullinë kishtare që iu kishte besuar, dom Simoni punoi edhe në përkthimin shqip të librave liturgjike nga meshari romak, leksionarët, ritualët e tjerë. Kështu me Biblën në gjuhën shqipe e vepra tjera, dom Simon Filipaj dha një kontribut të dorës së parë për kulturën ndër shqiptarë.
Në arkivin tonë të Radio Vatikanit ruajmë zërin e dom Simon Filipajt, e në mënyrë të posaçme dëshminë e tij dhënë menjëherë pas njërit nga momentet më të rëndësishme e të lumtura të jetës së tij: takimin që pati me Papën Gjon Palin II në Vatikan më 24 tetor të vitit 1994, me të cilin rast i shoqëruar nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirditën, dom Simon Filipaj i dhuroi personalisht Atit të Shenjtë kopjen e Biblës në gjuhën shqipe.
E Papa Gjon Pali II me Biblën në gjuhën shqipe në dorë, duke përgëzuar dom Simonin për punën kolosale që kishte bërë i tha: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe e radhite popullin tënd shqiptar ndër popujt e mëdhenj të qytetëruar, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë dhe fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë populli shqiptar”.
Ja dëshmia e don Simon Filipaj në mikrofonin e Radio Vatikanit menjëherë pas takimin e dorëzimit të Biblës shqipe Papës Gjon Palit II.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.