Sot më 1 shtator kalendari Kishtar përkujton festën e Shën Egjidit, Abat
Epoka në të cilën jetoi Egjidi abat (në frëngjsht Zhil), nuk njihet me saktësi. Disa
mendojnë se është fjala për Egjidin që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në
fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë se jetoi një shekull e gjysmë më vonë dhe
e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720 e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe
ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së tij. E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të
ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy
vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë. Në vetratat,
Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes
së një mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente
asnjë meshtari tjetër. Por duhet të kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814.
Varri i Shenjtit, që nderohet në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi
të jetë i epokës merovingike, ndonëse shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty
nga shekulli X, kur u shkrua edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është
një përmbledhje gojëdhënash, që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i
përforcuar besimtarët në fe. Të shumta - dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë,
Belgjikë e Holandë. Është pajtor i vetmitarëve, nënave e kuajve. Emri i tij vjen
nga greqishtja e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor
e të drenushës. E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit
një drenushë për ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vetmuar, larg çdo fytyre
njerëzore, në mes të një pylli të dendur. Në familjen françeskane emri Egjid
është shumë i dashur, sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri,
është shoku i tretë i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend
e verë’, që kremtohet më 23 prill.