2010-09-01 12:37:00

Kreu i diplomacisë së Londrës në Beograd: Serbia të tërheqë rezolutën për Kosovën


(01.09.2010 RV)Serbia duhet të tërheqë rezolutën e paraqitur në OKB për Kosovën. Ky është mendimi i kreut të diplomacisë së Londrës, Uiliam Hag, i cili ndodhej dje për një vizitë zyrtare në Beograd, pikërisht për të diskutuar mbi marrëdhëniet me Prishtinën.
Sipas tij, do të ishte mirë, që në rastin e mostërheqjes, qeveria serbe të merret vesh me Bashkimin Evropian për një rezolutë të përbashkët. Duke folur në televizionin B92, ministri i jashtëm britanik theksoi se është e rëndësishme “të gjendet një formulë praktike për bashkëpunimin më të mirë ndërmjet Serbisë e Kosovës, që t’u lejojë të dyja vendeve të kenë një perspektivë evropiane”.
Pas takimit me Uiliam Hag, presidenti serb Boris Tadiç pohoi se Beogradi “është gati për kompromis” mbi rezolutën, por në asnjë mënyrë, nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës. Kreu i diplomacisë londineze ua bëri të qartë serbëve se ky qëndrim i Beogradit do t’u sjellë vështirësi. “Mendoni – tha Hag – se 22 vende anëtare të Bashkimit Evropian, pra 80%, e kanë njohur Kosovën. Kjo vlen edhe për 70% të Këshillit të Evropës e për 60% të OSBE-së… Qëndrimi në krahun e kundërt me të gjitha këto vende do ta ndërlikojë të ardhmen e Serbisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.