2010-09-01 17:15:43

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes: Gëzimi- paradoks i dritës


Në kuadrin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes e të 13 vjetorit të kalimit në amshim të së Lumes Nënë Terezë, vijojmë të njihemi çdo ditë nga pak e nga afër me jetën e veprën e kësaj gjigante të shpirtit njerëzor, që tërë jetën e shkriu duke dashur e shërbyer njeriu nevojtar për dashuri ndaj Krishtit Zot e Shpëtimtar. E në jetën e veprimtarinë e saj në ndihmë të të varfërve e të mënjanuarve, e Lumja Nënë Terezë është ndeshur në shumë vështirësi, ka përjetuar çdo lloj kundërshtie e pengese, mirëpo ajo edhe në çastet më të errëta e më të vështira, përherë e kurdoherë ka qëndruar besnikërisht në Udhën që Jezusi ia tregoi, madje duke u bërë bartëse e gëzimit dhe shpresës për ata njerëz të varfër e të nëpërkëmbur që shpresë nuk kishin, e jo vetëm atyr, por të pasurve të varfër.....siç dëshmon edhe ky reflektim që po ju propozojmë sot.
Gëzimi- paradoks i dritës.
Një nga karakteristikat më simbolike të fesë e të dashurisë së Nënë Terezës gjatë errësirës së saj të dhimbshme shpirtërore qe gëzimi i përhershëm që rrezatonte: nuk buronte nga temperamenti, as nga prirja e saj natyrore: ishte fryt i hirit të Hyjit e i lëshimit të plotë në duart e tij. E kjo kërkonte një përpjekje të vetëdijshme e të vendosur. Në çastet më të vështira buzëqeshja e saj bëhej edhe më e ndritshme.
Nënë Tereza kishte vendosur të bëhej "apostulle e gëzimit" dhe ta përhapte erën e mirë të haresë së Krishtit kudo që shkonte. Dashuria e saj për Zotin ishte aq e madhe, sa ajo nuk donte tjetër, veç të rrokte kryqin, e ta rrokte me gëzim. "Qëllimi im i dytë [i ushtrimeve shpirtërore] është të bëhem apostulle e gëzimit e ta ngushëlloj Zemrën e Krishtit me gëzimin tim. Lutuni Zojës së Bekuar të ma japë Zemrën e saj, kështu që të mundem ta çoj deri në fund dëshirën e Tij për mua. Dua t'i buzëqesh gjithnjë edhe vetë Krishtit, me shpresë se kështu do të mund t'ia fsheh edhe atij vetë, në se është e mundur, vuajtjen dhe errësirën e shpirtit tim". Vendosa, kështu, t'i buzëqesh Jezusit sa herë që Ai të marrë diçka prej meje. Si shkëmbim do t'i dhuroj një buzëqeshje të dalë nga zemra, duke e falënderuar që ai e merr mundimin të përkulet endč për të marrë diçka nga unë".
Ndonëse dëshira e Nënë Terezës "për t'ia fshehur dhimbjen deri Krishtit ishte sigurisht e pamendueshme, ajo ia doli mbanësh t'ua fshehte këtë dhimbje të gjithëve, deri njerëzve më të afërt. "Nganjëherë dhimbja është aq e fortë, sa më duket se gjithçka brenda meje thyhet copë-copë. Atëherë buzagazi bëhet mantel që mbulon dhimbjen e pakufishme". Dashuria e saj pa kurrfarë interesi rrezatonte "Dashurinë e Tij, praninë e Tij, mëshirën e Tij".
Nënë Tereza kishte dhuratën e posaçme t'ia përcillte dashurinë e Zotit të tjerëve. Gëzimi, që i buronte nga dashuria për Krishtin, ndriçonte edhe ndër provat më të vështira. Duke e takuar, qoftë edhe për pak kohë, ata që kishin humbur shpresat, që i kishte pushtuar dëshpërimi, ndaheshin nga ajo plot ngushëllim e shpresë. I pati shkruar simotrave: "Mos harroni se mundimet e Krishtit përfundojnë gjithnjë me gëzimin e Ngjalljes së Tij. Prandaj, kur i ndjeni në zemrën tuaj mundimet e Krishtit, nuk duhet të harroni se do të vijë Ringjallja, se do të shpërthejë gëzimi i Pashkëve. Asgjë nuk duhet t'ju bëjë të vuani aq shumë, sa të harroni gëzimin e Krishtit të ngjallur. Këtë nuk duhet t'ia lejoni kurrë vetes.

Ç’është gëzimi?
Gëzimi është dashuri,
pasojë logjike
e një zemre që digjet nga dashuria.
Gëzimi është nevojë,
është forcë fizike.
Llamba jonë do të ndizet
nga flijimet e bëra me dashuri,
vetëm në se janë përplot me gëzim!
Nënë Tereza







All the contents on this site are copyrighted ©.