2010-08-31 16:05:40

Paqja dhe zhvillimi i vërtetë në ndjetin e lutjes së Benediktit XVI për muajin shtator


(31.08.2010 RV)Paqja dhe zhvillimi i vërtetë janë në qendër të ndjetit të lutjes së Benediktit XVI për muajin shtator. Në ndjetin e përgjithshëm, Papa u kërkon besimtarëve të luten që shpallja e Fjalës së Zotit “të përtërijë zemrat e njerëzve, duke i inkurajuar të bëhen protagonistë të zhvillimit të vërtetë shoqëror”. Në ndjetin misionar, Ati i Shenjtë uron që t’u jepet fund luftrave që përgjakin botën.
“Zhvillimi është emri i ri i paqes”: ky pohim i famshëm i Papës Pali VI përsëritet nga Benedikti XVI, i cili që në kapakun e Enciklikës “Caritas in Veritate” nënvizon nevojën e zhvillimit të gjithanshëm të njeriut në bamirësi e në vërtetësi. Për të arritur paqen, thotë Papa, duhet luftuar varfëria:
“E bëj timen me dëshirë atë, që Papa Montini shprehte me qartësi plot pasion në Enciklikën e tij “Populorum Progressio”: ‘Nëse arritja e zhvillimit kërkon një numër gjithnjë e më të madh teknikësh, kërkon edhe më shumë njerëz të mendjes, të aftë për reflektime të thella, me qëllim kërkimin e një humanizmi të ri, i cili t’i lejojë njeriut modern të gjejë vetveten, në vlerat e larta të dashurisë, miqësisë, lutjes e kundrimit” (Fjalimi para Fondacionit “Centesimus Annus”, 19 maj 2007).
Papa nënvizon se në bazën e zhvillimit të vërtetë shoqëror qëndron personi, të cilin Krishti na e zbulon në dinjitetin e tij më të thellë. Siç tregoi kriza e fundit financiare, vëren Benedikti XVI, nuk mund të privilegjohet ç’është materiale e teknike, në krahasim me ç’është etike e shpirtërore:
“Në një kontekst të tillë, është e rëndësishme të kapërcejmë atë mendësi individualiste dhe materialiste, që sugjeron largimin e investimeve nga ekonomia reale për të privilegjuar impenjimin e kapitaleve në tregjet financiare, që duket sikur japin rendimente më të lehta e më të shpejta”. (Fjalim para afaristëve romakë, 18 mars 2010)
Është i nevojshëm, thekson Papa Racinger, një humanizëm i krishterë edhe në vendimet ekonomike. E ky humanizëm duhet të udhëhiqet nga hapja e zemrës. Dashuria, jo gara e armatimeve, është “rruga për të ruajtur me forcë paqen”, thotë Ati i Shenjtë:
“Kthimi i vërtetë i zemrave përfaqëson rrugën e vetme, që mund ta çojë secilin prej nesh e krejt njerëzimin drejt paqes, aq shumë të dëshiruar. Është rruga e treguar nga Jezusi: Ai – që është Mbreti i gjithësisë – nuk erdhi të sjellë paqen në botë me ndonjë ushtri, por me refuzimin e dhunës”. (Fjalim për të rinjtë e Shërbimit Civil, 28 mars 2009)
Papa kërkon të fillohet nga kthimi i zemrave për t’u bërë veprimtarë të vërtetë të paqes. E i fton sidomos brezat e rinj të bëhen mjete paqeje, duke hedhur poshtë me vendosmëri egoizmin e padrejtësinë, indiferencën e urrejtjen. Nga Asizi, qytet simbol i dialogut dhe i pajtimit, Papa, në vazhdën e shën Françeskut, bën një thirrje të fuqishme, që secili prej nesh, në jetën e përditshme, të bëhet nxitës i apasionuar i paqes:
“E konsideroj detyrën time të bëj këtu një thirrje të fuqishme e të zjarrtë për ndalimin e të gjitha konflikteve të armatosura, që përgjakin tokën: të heshtin armët e kudo, urrejtja t’ia lerë vendin dashurisë, fyerja, faljes dhe përçarja, bashkimit!...Dashtë shën Françesku, njeri i paqes, të ndërhyjë pranë Zotit për t’i shumëfishuar ata që pranojnë të bëhen ‘mjete të paqes së Tij’, përmes njëmijë veprave të vogla të jetës së përditshme; që njerëzit me përgjegjësi të frymëzohen nga një dashuri plot pasion për paqen e nga vullneti i patundur për ta arritur, duke zgjedhur mjetet më të përshtatshme” (Lutja e Engjëllit të Tënzot në Asizi, 17 qershor 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.