2010-08-31 16:06:02

Kongresi i laikëve katolikë në Azi. Intervistë me atë Çervelerën.


(31.08.2010 RV)“Shpallja e Jezu Krishtit në Azi sot”: ky është titulli i Kongresit të laikëve katolikë të Azisë, që u hap sot në Seul të Koresë së Jugut. Në punimet, që do të vazhdojnë deri të dielën, do të marrin pjesë 400 vetë, anëtarë, si të Konferencave ipeshkvnore aziatike, ashtu edhe të lëvizjeve kishtare e të bashkësive të ndryshme. Do të flasë edhe drejtori i agjensisë katolike të lajmeve Asianews, atë Bernardo Çervelera, në një reflektim mbi temën “Dëshmi të guximshme feje”. Por sa guxim duhet sot për të dëshmuar fenë e krishterë në Azi? Të dëgjojmë vetë atë Çervelerën, në mikrofonin tonë:
Duhet shumë, pasi besoj se Kisha në Azi, në historinë e vet, është nga më të persekutuarat. Ndoshta, Kisha në Azi i ka dhënë botës shumë më tepër martirë se të gjitha Kishat e tjera, marrë sëbashku. Së dyti, shumë vende aziatike, akoma sot nuk e lejojnë lirinë e fesë: ndër dhjetë vendet e para në këtë drejtim, së paku tetë janë aziatike. Kjo do të thotë se vërtet ka shumë vuajtje e shumë kufizime. Ka akoma martirë në Azi, nëse mendojmë për masakrat e Orisës, për të burgosurit në Kinë, në Korenë e Veriut e për shumë të tjerë; pra, ka akoma martirizim e vështirësi të mëdha.
Shpesh në Azi, të krishterët akuzohen për prozelitizëm. Si mund ta dallojmë ungjillëzimin nga prozelitizmi?
Prozelitizmi është përpjekje e qëllimtë për tregti me kthimet në fenë tjetër, duke e bindur personin të ndryshojë fe me favore, para… E kjo nuk ndodh absolutisht ndërmjet të krishterëve e katolikëve në Azi! Është dëshmia e jetës së krishterë, ajo që i shtyn njerëzit të kthehen në këtë fe. Por, natyrisht, akuza e prozelitizmit bëhet, pasi fetë tradicionale ndjejnë se “u mungon ajri” në këtë botë, që po ndryshon me shpejtësi.
Në vende të ndryshme aziatike – të mendojmë për shembull për Filipinet, Korenë apo Indinë – prania e Kishës në media është domethënëse. Si punojnë kishat lokale për të përfshirë laikët në përdorimin e mediave për ungjillëzimin e ri?
Pikërisht në vendet që përmendët, ka përvojë si me gazetat, si me radion…nganjëherë edhe me televizionin, vetëm se televizioni është i shtrenjtë e Kisha nuk ka mundësi kaq të mëdha. Por, në të gjithë këto fusha ka laikë që punojnë, nuk janë të gjithë meshtarë! Meshtari mund të japë këshilla, i jep projektit vlerë shpirtërore, por janë laikët ata që punojnë për ungjillëzimin. Të mendojmë vetëm se ç’është Radio Veritas për Filipinet: informon, përhap katekizmin, mund t’i bëjë të komunikojnë kulturat e ndryshme të dhjetra vendeve aziatike.
Cila është hapësira që u jepet grave dhe të rinjve, si shpresë për të ardhmen e Kishës në Azi?
Kisha në Azi, nganjëherë – të paktën si konceptim – mua më duket pak “klerikale”, sepse ekziston një respekt i madh për autoritetin, pra për meshtarin e për ipeshkvin, si autoritete ‘sakrale’. Kjo varet nga koncepti mbi fenë në këto vende. Kongresi ka qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të shuguruar dhe laikëve e këtu, sipas meje, gratë e të rinjtë kanë një shans të madh. Që tani, në fakt, ungjillëzimi i përditshëm u është besuar grave dhe të rinjve: me shokët e shkollës, ose në Universitet, me fqinjët, ose edhe në vende me përgjegjësi në shoqëri.
Në këtë kontekst, bëhen themelore Ditët Botërore të Rinisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë kontinental…
Absolutisht. Sepse Ditët Botërore të Rinisë janë zbulimi i universalitetit të Kishës, pra Kisha nuk është thjesht familje e lidhur me një komb, kulturë, apo etni të caktuar. Kisha shkon përtej kulturave dhe përqafon vërtet krejt botën. Ditët Botërore të Rinisë janë entuziazmuese sidomos për të rinjtë e Azisë e shpesh, gjatë këtyre ditëve, shumë të rinj dëgjojnë thirrjen e Zotit për jetën e shuguruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.