2010-08-30 18:20:50

Papa në Meshën për ish nxënësit e tij


(30.08.2010 RV)Papa priti sot në audiencë kryeipeshkvin Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që mori pjesë, këto ditë, në takimin veror të ish studentëve të Benediktit XVI, i cili tashmë njihet me emrin ‘Ratzinger Schülerkreis’. Takimi përfundoi dje, me një Meshë, kryesuar nga Papa pranë Qendrës Mariapoli të Kastel Gandolfos. Kujtojmë se gjatë seminarit, që nisi të premten e kaluar, u diskutua kryesisht për interpretimin e Koncilit II të Vatikanit. Homelinë e mbajti kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës, edhe ai një nga ish-nxënësit e profesorit Racinger.RealAudioMP3

Në fillim të Meshës, Papa i përshëndeti pjesëmarrësit në seminar, rreth 40 vetë, duke u ndaluar tek faqja ungjillore e liturgjisë të së dielës mbi zgjedhjen e vendeve të para ndër gosti. Më pas, kujtoi ftesën e Jezusit për të dashur pa interes e për të ftuar në gostitë tona, ata që nuk kanë mundësi të na ftojnë. Të dëgjojmë fjalët e Papës:
“Liebe Freunde, am Ende des heutigen Evangeliums...
Të dashur miq, në Ungjillin e sotëm Zoti na kujton se në të vërtetë ne vijojmë të jetojmë si paganët; ftojmë vetëm ata, që na e shpërblejnë; u bëjmë dhurata, vetëm atyre, që na i kthejnë. Por stili i Zotit është ndryshe: e provojmë në Eukaristinë Shenjte. Ai na fton në tryezën e gostisë ne, që para syve të tij jemi të çalë, të verbër, të shurdhër; na fton ne, që shkojmë me duar thatë, sepse nuk kemi gjë për t’i dhuruar”.
Posaçërisht gjatë Meshës, vijoi Papa, jemi të thirrur ta ndjejmë mirësinë e Zotit, të prekemi prej saj, t’i shprehim mirënjohjen nga që, megjithëse nuk kemi asgjë për të dhënë, madje jemi të ngarkuar me faje e me mëkate, Ai vijon të na ftojë në tryezën e tij e, për më tepër, ulet në gosti me ne, mes nesh:
“Aber wir wollen doch auch uns davon...
Por duam të mësohemi edhe ta ndjejmë veten fajtorë, që të mund të dalim kështu, sadopak, nga stili pagan, sepse e jetojmë tepër brishtësisht të renë, stilin e Zotit. E prandaj, ta fillojmë Meshën Shenjte, duke lypur falje; një ndjesë, që të na ndryshojë, të na bëjë më të ngjashëm me Hyjin, me figurën e me shembëllimin e Tij”.
Kardinali Shënborn, gjatë homelisë, ripreku temën e përvujtërisë, duke kujtuar se Jezusi ua besoi Mbretërinë e Atit Apostujve, por që të mos u rritej mendja nga një detyrë kaq e rëndësishme, i vuri të gjithë, e posaçërisht të parin e Apostujve, pikërisht në vendin e fundit. Madje ata provuan ‘gostinë e gjakut’, gozhdat e kryqit të Zotit. Prej këndej, shpjegoi si duhet të sillen të krishterët përballë poshtërimeve e fyerjeve: të përbuzur, bekojnë...
“Die Demut wendet diese Beschimpfungen in Segen...
Përvujtëria i shndërron fyerjet në hir! Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse mishëroni për ne sjelljen e Krishtit, zemërbutë e i përvujtë. A nuk është një gjë e mrekullueshme, në fenë e krishterë e në përvojën e krishterë? Gëzimi për faktin se parametrat e Qiellit janë kaq të ndryshme nga tonat?...”







All the contents on this site are copyrighted ©.