2010-08-30 10:00:50

Atë Daniel Gjeçaj OFM në tetë vjetorin e kalimit në amshim.


(30.8.10 RV) Duke shfletuar kalendarin historik të 30 gushtit, përkujtojmë 8 vjetorin e vdekjes së studiuesit françeskan shqiptar, atë Daniel Gjeçajt. Figurë poliedrike, Atë Danieli tërë jetën punoi duke ndjekur binomin e njohur, që Kleri Katolik shqiptar e ka pasur gjithmonë në qendër të vëmendje: “për Fe e Atdhe!”.
Në periudhën më të vështirë e të errët të vendlindjes e të Popullit të vet Shqiptar, nën regjimin komunist e ateist, Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra qe pikë referimi për diasporën shqiptare dhe emigrantët në Romë e Itali, për të cilët qe atë shpirtëror e mbështetje vëllazërore e kombëtare. Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra ishte edhe bashkëpunëtor i Programit Shqip të Radio Vatikanit, që në kohën e themelimit nga dom Zef Shestani, me të cilin bashkëpunoi nga afër, e deri në vitet e fundit të jetës së tij.
Janë të shumta botimet dhe ribotimet e veprave letrare, që dolën nga shtypi jashtë atdheut nën kujdesin e Atë Danielit, i cili synonte përhapjen e kulturës shqiptare, përmes veprave, që meritojnë e duhet të jenë pjesë e formimit të çdo shqiptari, që nga bankat e shkollës fillore e deri në studimet më të larta. Ndër to përmendim “Andrrën e Pretashit” te Atë Anton Harapit; “Lahuten e Malcís” të Atë Gjergj Fishtës, ribotuar dy herë; “Valë mbi Valë” po e Atë Anton Harapit. Gjithashtu Atë Daniel Gjeçaj shquhet edhe për vepra originale, si “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, apo për përkthime, si “Rendori i Meshës me popull”, “Meshari i të Kremteve”, “Psalmet” dhe “Shkrimi Shêjt” për të cilin punoi deri në fund të jetës, por që ende nuk është botuar. Kujtojmë se biblioteka dhe dorëshkrimet e Atë Daniel Gjeçajt, sipas porosisë së tij, menjëherë pas vdekjes u bënë pronë e Provincës Françeskane shqiptare të Zojës Nunciatë. Ruhen në Bibliotekën e përtërirë françeskane “Atë Gjergj Fishta”, pranë kuvendit françeskan të Gjuhadolit, në Shkodër.
Po më shumë mbi figurën e Atë Daniel Gjeçajt, ju propozojmë shkrimin e historianit shkodran prof. Willy Kamsit.

Vdekja e nji Françeskani dhe Shqiptari të madh Át Daniel Gjeçaj o.f.m. (1913-2002)

Willy Kamsi

Humbja e P. Danielit i ka prekë të gjithë: si dashamirët e bijve të Sh' Françeskut si dhe atdhetarët me të vërtetë shqiptarë. Madjč âsht nji humbje e cila, për njerzit si Át Danieli, mendohet se nuk ka me ndodhë kurr, sidomos në këto kohët që po jetojmë, sepse kemi tepër shumë nevojë për njerëz të këtij formimi, si për Kishën ashtu edhe për kulturën e atdhetarsinë shqiptare.
Pat lé me 14 tetuer 1913 midis maleve tona katolike, Në Theth të Malësisë së Madhe, aty ku rrahte zemra e atdhetarisë shqiptare, ku Flŕmuri i Gjergj Kastriotit-Skandërbeut nisi të valojë përsërí, i çuem nalt prej duerve të kreshnikëve, si Dedë Gjo' Luli me shokë, kundër anmiqve të Kombit që në atë kohë shqipen e zezë e patën quejtë «sorrë», në përpjekjen e tyne të kotë për me ringjallë nji perandorí që tashmâ, mâ në fund, kishte dhanë shpirt.
Qysh në fëminí, te Át Danieli i ardhshëm, u pá drejtimi që kishte në mend e në zemër me ndjekë. Kështuqë me 1924 nisë rrugën e gjatë për me u b-â meshtar, jo nji meshtar si mund të jetë kushdo, por antar i bashkësisë së Etënve Françeskanë të cilët qysh në shekullin XIII kishin vű kambë në Shqipní (në Lezhë me 1240) e që gjatë shekujve që ndoqën do të lejshin gjurmën e tyne si në mprojtje të fesë ashtu edhe në përhapje të kulturës kombtare.
E nuk qe nji të përpjekun i pafryt, sepse ata, që u morën me përgatitjen e tij shpirtnore, atdhetare e kulturore, qenë emna të mëdhaj të Urdhnit Françeskan si Át Gjergj Fishta, Át Anton Harapi, Imz. Vinçenc Prennushi.
Vitet '30 të shekullit XX qenë vite me randësí në jetën e tij përgatitore.
Me 23 tetuer 1932 veshë zhgunin, me 1933 kryen rishtarinë, me 1936 studimet liceore. Mbas këtyne nisë pjesa e dytë e përgatitjes me studime jashtë Shqipnie. Kështu me 1936 dërgohet nga eprorët e vet në Kuvendin e Sh' Bernardinit në Sienë dhe qëndron aty deri me 1939 me kunorëzimin fundor, prá me shugurimin meshtar me 25 korrik 1939.
Prej Siene del në Gjermaní, në Fulda, për me ndjekë studimet e nji niveli mâ të naltë prej nga kthehet përfundimisht në Atdhé. E këtu së pari qe emnue bibliotekar në njenën ndër bibliotekat mâ me randësí të Shkodrës e të Shqipnisë, në atę Françeskane. Bibliotekë e krijueme dhe e pasunueme, me vepra të rralla albanologjike, me vepra të fillimeve të shtypit si dhe me botime me vlera artistike, nga Atdhetari i Madh Arbnor dhe Poet Kombtar Át Gjergj Fishta, dhe mâ vonë qe zavendës-rektor i Kolegjik françeskan.
Në ato kohë, kur lufta vlonte në të katër anët e Europës, Át Danieli dallohej, jo veç për punën që kryente në institucionet françeskane, por edhe si orator gjatë predkeve në Kishën e Sh' Françeskut në Gjuhadol. Kjo nuk ngjati shumë. Erdhën kohë të zymta. Komunizmi pushtoi Shqipninë. E me tę, në Shkodër, u shfaq gjenocidi, në veçantí kundër klerit e popullit katolik. Dhe nuk kanë të numruem meshtarët e pushkatuem, të torturuem, pronat e grabituna, institucionet fetare e shkollat e plaçkituna, bibliotekat, muzétë e shtypshkrojat e shkatrrueme. Të mos harrohet se të gjitha këto baheshin kundër traditës mâ të spikatun kombtare shqiptare. Dhe kjo ndodhi posa komunistët vunë kambë në Vendin tonë tue zbatue pikë për pikë urdhnat që merrshin prej anmikut shekullor të popullit shqiptar, në shërbim të të cilit ishin vű. Tue u kthye mbrapa duhet të kujtojmë se qysh në vitet '30 të shekullit XX ishte e ndalueme zyrtarisht hymja në Jugoslaví e «Lahutës së Malcís» të Át Gjergj Fishtës si dhe e revistës me famë ndërkombtare «Hylli i Dritës», nji ndër revistat mâ në shej në Shqipní, përkrah «Lekës» së botueme prej Etënve Jezuit. Me këtę kuptohet edhe mâ mirë se sa dashamirës ishin pushtuesit e rij ndaj Shqipninë.
Të gjitha këto qenë pjesë përbase e jetës së Át Danielit i cili e dau me u largue prej Atdheut posa të paraqiteshin kushte e rrethana mâ të volitshme për ta realizue. Posa erdh prishja në mes regjimeve «motra» të Tiranës e Beogradit dhe kur dalja fshehtas në Jugoslaví nuk paraqitte rrezikun e dorëzimit, Át Danieli i ndihmuem prej të vetve arratiset në Jugoslaví, jeton aty deri me 1955, tue punue si puntor e mësues, dhe mâ në fund ia del me kapërcye në Italí. Aty e presin në Provincën Françeskane të Toskanës. Para se me zanë vend me 15.7.1970 në famullinë e Shën Gregorit VII në Romë, ka qenë sekretar i Át Angelico Lazzari në Kurien e përgjithshme (1961-1965), ndërsa nga 1965-1970 jeton në Shën Pietër në Montorio.
Edhe tue qenë në mërgim nuk pushoi së punuemi për Vend të të parëve. I emnuem prej Selisë Shenjtë si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në dhé të huej, nuk u kufizue te kjo detyrë por u dha dorë, si mik e shok vuejtjesh, e sidomos si udhëheqës shpirtnor, edhe të gjithë atyne shqiptarëve të çdo besimi që murtaja komuniste i kishte detyrue me lanë trollin amëtar. Zani i tij u ndigjue nji kohë të gjatë edhe nëpërmjet valëve të Radio Vatikanit në Programin Shqip.
Në Kuvendin Françeskan të Sh' Gregorit VII në Romë, në bibliotekën e Tij ku sundonte nji portret i madh i Át Gjergj Fishtës, i pikturuem me bojna voji, e nën tę plot libra albanologjie, e plot piktura të Lin Delisë, ka pasë krijue nji skaj të vërtetë Shqipnie. Madjč, kur nji herë i patën thanë se: «Këtu jemi si me qenë në Shqipní», i qortoi tue u thanë: «Jo si me qenë, por me të vërtetë jeni në Shqipní !»
Át Danjeli ka qenë shě ai përfaqësues i kryefjalës «Fé e Atdhé» që i ka dallue në të gjitha kohët Etnit Françeskanë në veçantí e Kishën Katolike në përgjithësí. Për këtę flet vepra e Tij e shkrueme dhe e botueme, si dhe ajo e pabotueme. Si ishte e natyrshme, u përpoq në të gjitha mënyrët të vinte në pah jetën e veprën e Poetit të madh Kombtar. Së pari tue botue Kujtimet e veta për Atë Gjergj Fishtën (Shęjzat, 1957, nr. 4-5), Proza fishtjane (Shęjzat, 1961, nr. 11-12) tue u nënshkrue në të dyja rasat me pseudonimin tashmâ të njohun Gjin Duka, e tue përfundue me nji vepër përmbledhëse si qe Gjergj Fishta - jeta dhe vepra (1992) të cilën ketë herë e nënshkruen me pseudonimin Pal Duka-Gjini. Por nuk la pa ribotue atę që mund ta quejmë pa kurrfarë droje vepra princeps e letërsisë shqiptare si âsht Lahuta e Malcís. Botimi i dytë i saj pau dritën në Romë, me 1958, e pajisun me krejt nji aparat komentimi ndër nota, por qe «u mbarue në pak kohë» (ky botim do t' u përsëritte anastatik në Prishtinë, me 1997). Këtu u pá e nevojshme të baheshin edhe dy´ ribotime të tjera, prap në Romë, me 1989 e 1991.
E prap vepërza të tjera që pasqyrojnë njerëzit e jetën e maleve tona kreshnike kanë me ndjekë varg, si: Hije e drita në mal të Dukagjinit (1963), Mehmet Shpendi e Mark Sadiku i Shalës (1996), Te lind Kiri ( ).
Nuk la pa u marrë edhe me ribotimin e veprave të nji françeskani tjetër të madh si qe Át Anton Harapi. Dhe kështu panë dritën Ândrra e Prętashit (1959), e cila dikur kishte dalë pjesë-pjesë në faqet e «Hyllit të Dritës» me titullin Urtí e burrní ndër banorë të Cemit, dhe Valë mbi Valë (1995) edhe kjo, me të njajtin titull, në faqet e Hyllit.
Át Danieli u dallue edhe në fushën e përkthimeve tue punue me nji cenë të admirueshme për me sjellë në shqipe veprat themelore të kështenimit e të Kishës. Flasin: Meshari i të kremteve (1966), Rendori i meshës (1973) Meshari i përditshëm, përkthim që e dallon ke s' ve e që tash për tash ka mbetë dorëshkrim, visar i paçmueshëm i gjuhës shqipe, Psalmet ( ). Kohët e fundit ka qenë tue përfundue përkthimin e Shkrimit të Shenjtë.
Të gjitha këto të shkrueme në nji gegënishte të pastër, të kuptueshme për çdo shqiptar e njiheri të pasun me atë visar të dalun prej gojës së popullit tonë, endč të papërlyem në vlerat e tija etnike.
Gjatë kohës që jetoi në Romë (rreth 40 vjet) shërbesën e tij meshtarake e zhvilloi pranë Famullisë së Shën Gregorit VII, ndërsa ishte edhe asistent i U.F.SH. të famullisë Santa Maria Mediatrice dhe të famullisë Santa Maria della Perseveranza.
Edhe kur u sëmue, nga nji sëmundje që nuk falë, e barti me durim, në heshtje, tue qenë gjithmonë mirënjohës ndaj Provincës të Shën Pjetrit e Palit, por tue pasë gjithnji në mend e në zemër Provincën e vet Shqiptare, deri në çastin kur dha shpirt në Romë me 30 gusht 2002.
Njerzit kalojnë por vepra e tyne, kur âsht e dalun prej zemrës së nji populli kreshnik, nji përfaqësues i të cilit qe vetë Át Danjeli, mbetë për me dishmue atę që qe Shqipnia e atę që duhet të jetë në të ardhshmen, për të mirën e brezave që do të ndjekun.
Ky prá qe Át Danjeli, i cili për né nuk ka vdekë, mbasi jeton vepra e tij, e që me ketë vepër mbetë gjithashtu gjithmonë i gjallë, ashtu si e kemi njoftë. Sikurse nuk do të harrohet kurr fëtyra e Tij e qeshun e gazi që i delte prej zemrës së Tij bujare, gjâ që u binte në sy sidomos atyne që e kishin njoftë në kohën kur ishte frat i rí e që rrallëherë e bante buzën në gaz.







All the contents on this site are copyrighted ©.