2010-08-28 07:27:02

“Nënë Tereza, mrekulli për botën”. Flet motër Meri Prema, Eprore e Përgjithshme e “Misionareve të Dashurisë”


U përkujtua më 26 gusht, 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, së Lumes shqiptare të bamirësisë, që akoma nuk është shpallur shenjtore nga Kisha, por që konsiderohet si e tillë në të gjithë botën. E tregon këtë fakti se kudo u bënë kremtime në nder të Nënës, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme njerëzish, të cilëve murgesha shqiptare, që e konsideronte veten “laps i vogël në dorën e Zotit”, u thotë akoma fjalë e gjëra të rëndësishme për jetën e përditshme. Por cila është trashëgimia e saj? Çfarë u ka lënë simotrave, që vazhdojnë punën e filluar nga Nënë Tereza?
Është Jezusi, ai që udhëheq hapat e Misionareve të Dashurisë, që kujdeset për shpirtin e impenjimin e tyre misionar: 100 vjet nga lindja e Nënë Terezës, “braktisja e vetvetes në dorën e Provanisë Hyjnore” mbetet një nga tiparet kryesore, që karakterizojnë Kongregatën e motrave me “sarin bardhë e blu”. Murgeshat jetojnë në respekt e përkim të plotë me themeluesen, e cila është quajtur nga shumë vetë “një mrekulli për historinë e njerëzimit”. Kështu flet motër Meri Prema, gjermane, Eprore e Përgjithshme e Urdhërit të Misionareve të Dashruisë, në një intervistë me Agjensinë katolike “Fides”.........RealAudioMP3


Motër Prema, ju jeni përgjegjëse e një kongregate fetare, që merret me të varfërit e të sëmurët në të gjithë botën. Sipas jush, pse Zoti e lejon vuajtjen?

Vuajtja nuk mund të jetë dënim. E megjithatë, Zoti e lejon. Ne mund të përfitojmë nga vuajtja për t’ju afruar Atij e për t’i kërkuar hirin e durimit. Vuajtja është shpesh pasojë e vendimeve tona. Por është edhe rrjedhojë e natyrës së brishtë, që tundohet lehtë. Natyrisht, vuajtja mund të shkaktohet edhe nga gjëra që nuk varen prej nesh. Fatkeqësi natyrore si tërmeti në Haiti, ose përmbytjet në Pakistan, janë shembull për këtë. Por, jam e bindur, se Zoti e lejon vuajtjen, sepse kështu mund të na shndërrojë në burra e gra më të mira e më të thella. Bëhemi pra, në gjendje të kuptojmë se kjo botë e kjo jetë nuk janë qëllimi i fundmë, por se ekziston diçka më tepër: jeta e shpirtit, i cili – nëse e pranon vërtet vuajtjen – pastrohet.

Nënë Tereza bënte dallim ndërmjet vuajtjes fizike dhe asaj shpirtërore: a mund të na shpjegoni si e merrni parasysh këtë në punën tuaj sot?

Vuajtja më e madhe është ajo shpirtërore, e shpirtit. Këtu në Kalkutë shohim se për ne është shumë më e thjeshtë të kryejmë shërbimet fizike të “veprave të mëshirës trupore”: larjen e personave që po vdesin, asistencën mjekësore për të sëmurët dhe ndihmën për personat pa shtëpi. Shërbimet shpirtërore të bamirësisë e dashurisë kërkojnë një impenjim shumë më të madh. Vuajtjes së shpirtit mund t’i përgjigjemi sidomos me lutje. Është e rëndësishme, që hiri hyjnor të prekë personat me këtë lloj vuajtjeje. Është po aq e rëndësishmë për ne të lutemi për këtë: çdo ditë ndalemi për një orë lutjeje para Eukaristisë. Kjo është themelore për punën tonë: vërtet, ajo nuk është impenjim shoqëror, por misionar.

Ç’kuptoni me mision? Për Nënë Terezën, mos ndoshta kjo nënkuptonte kthimin e të tjerëve në fenë katolike?

Nënë Tereza dëshironte që të gjithë ta njihnin e ta donin Jezusin. Ishte e bindur se çdo shpirt dëshiron shëlbimin në Krishtin, pavarësisht nëse është i vetëdijshëm për këtë apo jo. Por, kthimi i zemrave mbetet vepër e Zotit. Nuk është detyra jonë. Vetëm Zoti mund ta kthejë shpirtin. Nënë Tereza e kuptoi jetën e vet si detyrë për ta dashur Jezusin e për t’ua përçuar këtë dashuri personave rreth saj. Ky ishte qëllimi i saj i vetëm. Përpiqej të bënte me ndërgjegje, atë që besonte se Zoti priste prej saj. Nënë Tereza mendonte se Hyji e kishte thirrur për t’i shërbyer vërtet e pa interes njeriut, për t’u kujdesur në mënyrë absolute për ata që vuajnë. Ishte gjithnjë 100% e pranishme dhe e gatshme për personin, me të cilin merrej në atë moment. Nuk interesohej kurrë për gjërat e mëdha, nuk bënte reklamë, apo gjëra të ngjashme. Në plan të parë ishte gjithnjë takimi i drejtpërdrejtë me njeriun. Kjo, natyrisht, është shprehje e një urtie të madhe.

A mund të na thoni si e organizonte dhe si jetonte Nënë Tereza në ambientin e vet? Cili ishte imazhi, që kishit ju motër Prema, për Nënë Terezën?

 
Ajo ndoshta do të përgjigjej se qëllimi i saj ishte t’u përçonte gjithnjë njerëzve që kishte rrotull, përvojën e takimit me Jezusin. Kjo është trashëgimia që na ka lënë. Përmes jetës, punës, simpatisë, i afronte personat rrotull saj me Zotin. Ajo nuk predikonte, por dëshmonte me jetën e vet. Edhe sot e kësaj dite, shumë vetë më tregojnë takimin e tyre të parë me Nënë Terezën. E kanë parë ndoshta për pesë minuta në terracën e shtëpisë sonë amë. Por ai çast i vetëm, ndryshoi përgjithmonë jetën e tyre. Shpesh, mjaftonte një frazë, një fjalë e mirë. Shumë nga këta njerëz janë hinduistë. Nuk janë kthyer në katolikë pas takimit me Nënë Terezën. Por, kanë filluar ta shohin jetën e punën e tyre me tjetër sy e janë bërë njerëz të ndryshëm, që jetojnë ndryshe në familje, sipas dashurisë, bamirësisë e mëshirës. Ka kaq shumë shembuj.

100 vjet nga lindja e Nënë Terezës, cilat janë sipas jush, sfidat më të mëdha për kongregatën, në vitet që vijnë?

Misionaret e Dashurisë duken si organizatë e madhe, por ne nuk bëjmë programe për dhjetë vitet e ardhshme. Përpiqemi të jemi gati për atë, që do të na kërkojë Zoti. Vetëm Jezusi do të më thotë cili është hapi i ardhshëm. Prandaj, sipas frymës së Nënë Terezës, nuk jam unë ajo që kontrolloj: është Zoti, ai që i merr vendimet.

A ka lënë Nënë Tereza porosi për orientimin e ardhshëm të urdhërit?

Një herë, dikush e pyeti se ç’do të bëhej, kur ajo të mos ishte më. Përgjigjja e saj qe e prerë: “Më lër njëherë të vdes rehat!” Nuk na ka dhënë kurrë porosi për programet e ardhshme. Përveç faktit se duhej të impenjoheshim gjithnjë e më shumë e të bëheshim shenjte! Ky ishte rekomandimi i saj i vazhdueshëm! Sot, e drejtojmë urdhërin në grup. Tri murgesha të tjera e ndajnë këtë detyrë me mua. Por, në fund të fundit, si Eprore e Përgjithshme, përgjegjësia bie mbi mua. Kam mundur të mësoj shumë nga themeluesja jonë. Procesi i vendimmarrjes bëhej në dy faza: së pari shqyrtoheshin të gjitha mundësitë e pasojat; pastaj, vinte faza e dytë, marrja e vendimit, zgjedhja përfundimtare. Nënë Tereza dëgjonte me vëmendje shumë këshilla, pastaj tërhiqej për marrjen e vendimit. Ishte shumë e zonja për këtë.

Si do t’i përballoni sfidat e mijëvjeçarit të ri?

Nënë Tereza dëgjonte Jezusin dhe ishte gjithnjë gati për sfidat e problemet e reja, që i shtronte përpara shoqëria. Për shembull, gjatë viteve ’80, doli Sida. Hapi në Nju Jork një shtëpi për viktimat e kësaj sëmundjeje. Qëllimi kryesor ishte shoqërimi i të sëmurëve në fazën e fundit. Atëherë, akoma nuk kishte ilaçe për ta mbajtur virusin nën kontroll. Çfarë vuajtjesh! Nënë Tereza, në atë kohë, dëgjoi Jezusin, por e kishte gjithnjë veshin e ngrehur për problemet e botës. Kështu edhe ne, duhet të dëgjojmë Jezusin e të jemi bujare. Ajo ishte shumë bujare ndaj Zotit e ndaj të vuajturve pranë saj. Ne duam ta imitojmë.

Me ç’formim përgatiten murgeshat për këtë detyrë?

Që nga fillimi, noviciet kanë mundësi të punojnë me të varfërit në lagjet e periferive. U mësojmë si të kujdesen për të sëmurët e natyrisht u jepen njohuri bazë në teologji, në historinë e Kishës, në katekizëm e në Shkrimin Shenjt.

Sipas jush, kur do të shpallet shenjte Nënë Tereza?

Të gjithë flasin për përshpejtimin e rrugës drejt shenjtërimit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Por unë besoj se kjo nuk është edhe aq e rëndësishme. Të gjithë e dinë se është shenjte. Si për hinduistët, ashtu edhe për të krishterët, këtu në Kalkutë e në pjesën më të madhe të vendeve ku ndodhemi, kjo është jashtë çdo dyshimi. Të gjithë presin një mrekulli… por, vetë Nënë Tereza ishte mrekulli për botën e për njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.