2010-08-27 18:17:39

Romët: Kardinali i Parisit kritikon “lojën e fjalëve”


(27.08.2010 RV)Kryetari i Konferencës ipeshkvnore franceze, kardinali Andre Vënt-Trua, kritikoi lojën e fjalëve, që po përdor qeveria, për t’i bindur njerëzit se qëndrimi ndaj romëve ka të bëjë me politikën qeveritare kundër pasigurisë.
Po krijohet një klimë e sëmurë në shoqërinë tonë, një farë shkallëzimi i opinioneve të ndryshme e një farë gare ndërmjet atyre, që duket sikur punojnë për t’i dhënë vendit më shumë siguri e atyre, që dyshojnë se kjo sjellje nuk është e moralshme. Kështu u shpreh sot kardinali i Parisit në mikrofonin e Radios Evropa, duke theksuar se në një shoqëri civile e paqësore, diskutimi duhet bërë në mënyrë më të qetë.
Përsa u përket riatdhesimeve të fundit të romëve, prelati i lartë shpjegoi se Franca, natyrisht, nuk duhet t’i pranojë të gjithë romët e se javët e ardhshme do të takohet me ministrin e brendshëm Hortefë: “Nuk do t’i them ç’duhet të bëjë për ta ndryshuar mënyrën si po vepron, shpjegoi kardinali, do t’i them vetëm ç’ mendojnë katolikët për masat e marra e për zbatimin e tyre, duke i kujtuar se ka disa kufij, që nuk duhen kapërcyer”.
Pak ditë më parë ministri Hortefë theksoi se është gati ta presë kardinalin e Parisit, pas kritikave të Papës e të përfaqësuesve të tjerë të Kishës katolike për dëbimin e romëve nga Franca.
Kujtojmë se të dielën e kaluar, gjatë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën frënge, Papa pohoi se shëlbimi u përket të gjithë njerëzve. E kjo ishte edhe ftesë për t’i pranuar të gjithë, pavarësisht nga raca, populli e kombi, të cilit i përkasin.







All the contents on this site are copyrighted ©.