2010-08-27 16:05:46

Nga data 3 deri më 5 tetor, zhvillohet në Barcelonë Takimi për paqen i Bashkësisë së Shën Egjidit


(27.08.2010 RV)Një takim ndërkombëtar për paqen, ku marrin pjesë përfaqësues të Kishave të krishtera dhe të feve të tjera, sëbashku me eksponentë të botës së kulturës e të politikës ndërkombëtare, është në program nga 3 deri më 5 tetor në Barcelonë të Spanjës. Ai organizohet nga Bashkësia e Shën Egjidit, këtë vit, në bashkëpunim me kryedioqezën katalane. Tema e sivjetme është: “Të jetojmë sëbashku në kohë krize. Familja e popujve, familje e Zotit”.
Kujtojmë se takimet vjetore të shën Egjidit filluan pas mbledhjes historike në Asizi të Italisë me Gjon Palin II, në vitin 1986. Në qytetin e shën Françeskut, Papa u lut me përfaqësues të të gjitha feve për t’i kërkuar Zotit dhuratën e paqes në botë. Që nga ajo kohë, takimi zhvillohet vit për vit në një qytet të ndryshëm. Spanja e konsideron si më të rëndësishmin, para udhëtimit apostolik të Benediktit XVI, i cili më 7 nëntor do të shugurojë tempullin “Sagrada Familia”.







All the contents on this site are copyrighted ©.