2010-08-27 18:10:18

Irak: kryeipeshkvi i Kirkukut flet për rrezikun e luftës civile e të ndarjes etnike të vendit.


(27.08.2010 RV)Shtohet gjithnjë më shumë, pas tërheqjes së SHBA nga vendi, numri i atentateve kundër forcave ushtarake irakiane, gjë që tregon qartë se nuk janë aspak në gjendje ta mbrojnë rendin e sigurinë në vend. Tejet i shqetësuar për këtë, episkopati irakian, që vijon të denoncojë rrezikun e një kaosi të ri. Këtë shqetësim i shpreh agjensisë SIR të Konferencës ipeshkvnore italiane, kryeipeshkvi i Kirkukut, imzot Lui Sako:
“Tërheqja e SHBA e thellon frikën e irakianëve, të cilët i druhen shumë rrezikut të shpërthimit të luftës civile. Një luftë e tillë do të çonte, pa dyshim, në përçarjen etnike e fetare të vendit. Do të kishim, kësisoj, një Irak sunit, një tjetër shiit e kurd, ku secila palë do të kishte edhe ushtrinë përkatëse”.
Lufta e 2003-it e ktheu përmbys Irakun, shpjegon akoma kryeipeshkvi, shkatërroi sigurinë, ekonominë, unitetin kombëtar. Konflikti e varfëroi thellësisht edhe jetën intelektuale të vendit. Shumë njerëz të shkencës e të kulturës u vranë gjatë këtij konflikti të përgjakshëm, të tjerë, të tmerruar nga situata, u larguan nga vendi, ku mungon fare siguria, por jo ndotja e mjedisit e, sidomos, korrupsioni. Dikush tmerrohet e ikën, dikush rri, vret e pret, pasurohet e sundon! Kjo është situata aktuale në vendin tonë, vijon imzot Sako, i cili nuk harron të nënvizojë edhe anët pozitive të këtij realiteti: “Tani kemi shumë më tepër liri e nuk mungon edhe një lëvizje e lehtë drejt demokracisë”.E lehtë, sepse SHBA kanë plane afatgjata për të përballuar problemet, që lidhen me ekonominë, me terrorizmin e me sigurinë në vend. Më duket, vijon të nënvizojë prelati, se SHBA nuk kanë dashur kurrë t’i zgjidhnin problemet e Irakut, duke favorizuar e duke mbrojtur formimin e një qeverie të fortë, në një vend ku presioni i vendeve fqinje është shqetësues.







All the contents on this site are copyrighted ©.