2010-08-27 18:09:50

Edhe katolikët rusë e kujtuan të Lumen Nënë Terezë.


(27.08.2010 RV)Edhe katolikët e Rusisë e kremtuan njëqind vjetorin e ditëlindjes së Nënë Terezës, duke i kushtuar, disa kilometra larg Moskës, një monument publik. Bashkësia katolike ruse e kujtoi të Lumen në Kishat e në kapelat e të gjithë vendit, me lutje për të varfërit e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë.
Sipas agjensisë AziaNjuz, në katedralen e Moskës, mbrëmë, u kremtua një Meshë solemne në kujtim të Nënë Terezës. Të pranishme, motrat e bamirësisë, që kryejnë misionin në kryeqytetin rus. Rregulltaret e Kongregatës, themeluar nga e Lumja, kanë këtu dy shtëpi: në njërën u shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike e mendore; në tjetrën, pleqve të vetmuar.
Më 25 gusht, në Kaluga, pranë Moskës, u përurua edhe një shtatore tjetër, kushtuar Nënë Terezës. Monumenti ndodhet në pavionin indian të qendrës kulturore “Etnomir”, një ndërtesë, ku ekspozohen objekte karakteristike për vende të ndryshme të botës. Vepra, e derdhur në bronz, e paraqet Rregulltaren më të famshme të botës, ulur, rrethuar nga fëmijët.
Kujtojmë se Nënë Tereza shkeli në Rusi që në kohën e Bashkimit Sovjetik. Qe dimri i vitit 1988, menjëherë pas tërmetit, që shkatërroi një pjesë të mirë të Armenisë. “Misionaret e bamirësisë dhe themeluesja e tyre, ishin në vijën e parë të frontit për kapërcimin e pasojave të tërmetit”, tregon Aleksej Judin, historian i besimeve, i cili e pati takuar asokohe Nënë Terezën në Moskë. Por emri i Motrës së Lume shqiptare nuk u lidh vetëm me tërmetin e Spitakut. Shumë shpejt dora e saj bamirëse do të ndjehej fort edhe në tragjedinë e Çernobilit. Edhe këtu ajo e motrat e saj arritën të parat, duke mos e marrë fare parasysh se po hynin në një zonë, ku mund të gjenin vdekjen nga rrezet radioaktive. Prandaj deri Bashkimi Sovjetik e dekoroi Nënën tonë Terezë me medaljen e artë për paqen!







All the contents on this site are copyrighted ©.