Dialogu ndërmjet feve, sot, në Mitingun e Riminit. Intervistë e kardinalit Toran
(27.08.2010 RV)Dialogu ndërmjet feve ishte sot paradite, në qendër të vëmendjes
në Mitingun e Riminit. “Kush beson, takohet”, titulli i konferencës, gjatë punimeve
të së cilës folën edhe kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun
Ndërfetar; Shodo Habukava, murg budist e pedagog në Universitetin e Koiasanit si dhe
Tarek Ubru, hoxha i xhamisë së Bordosë, në Francë. Të ndjekim intervistën dhënë Radio
Vatikanit nga kardinali Toran:
Përgjigje:
- U përpoqa të tregoj se, para së gjithash, nuk janë fetë që dialogojnë,
por besimtarët: njerëz fare normalë, pra, me të njëjtat probleme. E këta njerëz, duke
qenë besimtarë, kanë edhe një trashëgimi vlerash të përbashkëta, që u krijon mundësinë
të kuptojnë jo vetëm se jemi të gjithë vëllezër, por edhe bij të Zotit. Kur besohet,
për shembull, se çdo njeri ka marrë nga Krijuesi dinjitet unik; kur besohet në shërbimin
ndaj të afërmit, ndaj një njeriu, që nuk e zgjodhe ti vetë, por të erdh në shteg;
kur besohet se Toka dhe pasuritë e saja janë lënë në duart e njeriut, për t’i shërbyer
së mirës së përbashkët: e gjithë kjo tregon se kemi për të thënë shumë gjëra të përbashkëta.
Fetë nuk janë burim përçarjeje, janë besimtarët që e tradhtojnë, nganjëherë këtë trashëgimi.
Atëherë kush beson e takohet, duhet të jetë besimtar i palëkundshëm, në mënyrë që
t’i çojë përpara katër detyrat e tij kryesore: pedagogjinë e të jetuarit së bashku;
propozimin për ta dalluar të mirën nga e keqja; kujtimin e të drejtave e të detyrave,
njëherësh me pasionin për të shërbyer e, së fundi, pergjegjësinë qytetare, që ka secili,
sepse jemi besimtarë, por edhe qytetarë. Nuk jemi besimtarë ose qytetarë, por besimtarë
e qytetarë njëherësh. E, natyrisht, gjëja më e rëndësishme, është dëshmia fetare,
sepse ne nuk përhapim vlera humaniste: ne, të krishterët, përhapim kryesisht vlerat
ungjillore. E atëherë do të thosha se ne, besimtarët, takohemi me historinë e sotme;
e ka rëndësi që vëllezërit tanë, njerëz si ne, të kuptojnë atë, që shikoj këtu, para
nesh “Portën e lumnisë”: në fund të udhës, është Dikush që të pret. Mendoj se ky është
mesazhi që ne, besimtarët, duhet t’ua përcjellim të gjithëve.
Pyetje:
- Dialogu ndërmjet feve, madje ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, është
i rëndësishëm edhe për sigurimin e paqes…
Përgjigje: - Sigurisht,
sepse po të mos jemi të aftë të jetojmë në paqe brenda bashkësive tona, ndërmjet nesh,
do të thotë se paqja është e pamundur. Ndërsa ne e dimë se është e mundur! E them
gjithnjë se Zoti na bëri dy dhurata të mëdha: na dha mend, për të kuptuar e zemër,
për të dashur. Me mendjen e me zemrën tonë, ne mund t’ia ndryshojmë faqen botës.
Pyetje:
- Edhe vetë Mitingu titullohet “Është zemra ajo, që na shtyn të bëjmë vepra të
mëdha”. Është zemra, që kthehet në rrugën e Zotit; zemra, që ëndërron gjëra të mëdha,
si paqja. Një zemër e tillë, mund ta ndërtojë paqen…
Përgjigje: - Ta
ndërtojë e ta ndryshojë botën. Ne duhet të kalojmë nga frika prej tjetrit, në frikën
për tjetrin, gjë që do të thotë se kur vëllait tim nuk i sigurohen të drejtat, kur
keqtrajtohet, shqetësimi i tij është imi, unë vuaj me e për të. Duhet kaluar, prandaj,
nga frika prej tjetrit, në frikën për tjetrin!