2010-08-26 12:47:07

Papa për 100 vjetorin e lindjes të Nënë Terezës: dhuratë tejet e çmueshme për botën


Mesazh i Papës Benedikti XVI për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, drejtuar Eprores së Misionareve të Bamirësisë

 
Motrës Prema, M.C
Eprore e Përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë
Përshëndes me përzemërsi ju dhe të gjitha misionaret e Bamirësisë, me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të lindjes së të Lumes Nënë Tereza, themeluese e Kongregatës suaj dhe shembull i jashtëzakonshëm virtytesh të krishtera. Jam i bindur se ky vit do të jetë për Kishën dhe botën, rast për ta falenderuar me shpirt Zotin për dhuratën e paçmuar, që ishte Nënë Tereza gjatë jetës e edhe pas saj, përmes punës së palodhur e plot dashuri, që bëni ju, fëmijët e saj shpirtërorë.
Në përgatitjen për këtë vit jeni përpjekur t’i afroheni më shumë Jezusit, etja e të cilit për shpirtra shuhet nga shërbimi që i bëni Atij, në më të varfërit e të varfërve. Duke iu përgjigjur me besim thirrjes së drejtpërdrejtë të Hyjit, Nënë Tereza i tregoi botës si mund të vihen në jetë fjalët e shën Gjonit ungjilltar: “Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin… Nëse duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer” (1 Gjn 4,11-12).
Kjo dashuri vazhdoftë t’iu frymëzojë ju, si misionare të Bamirësisë, që t’ia dhuroni veten me bujari Jezusit, të cilin e shihni dhe i shërbeni tek të varfërit, të sëmurët, të vetmuarit dhe të braktisurit. Ju inkurajoj të merrni shembull vazhdimisht nga përshpirtëria e Nënë Terezës dhe pas gjurmëve të saj, të pranoni ftesën e Krishtit: “Eja, bëju drita ime”. Duke u bashkuar shpirtërisht me kremtimet e 100-vjetorit dhe me dashuri të madhe në Hyjin, iu jap me gjithë zemër Misionareve të Bamirësisë dhe të gjithëve atyre që u shërbeni, Bekimin tim atëror Apostolik.

BENEDICTUS PP XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.