2010-08-26 15:58:03

Nënë Tereza kujtohet në të gjithë botën


Kremtimet për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës kanë karakterizuar ditën e sotme në të gjithë botën. Të shumta janë vendet, që kanë vendosur ta festojnë të Lumen shqiptare me emetimin e një pulle poste.
Sot doli pulla me fytyrën e Nënë Terezës në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, por edhe në postat austriake. Më 5 shtator, do të jetë radha e SHBA-ve, ndërsa muajt e kaluar, vende të tjera kanë nxjerrë pulla për Nënë Terezën: Monako më 29 prill, Franca më 31 maj, Irlanda më 17 qershor, Gjermania më 12 gusht.
“Murgesha e basifondeve”, siç e ka quajtur revista amerikane “Life”, është kujtuar edhe me mënyra të tjera:
Tiranë, qindra njerëz vunë lule në monumentin kushtuar asaj. U paraqit në presidencën e Republikës, projekti shqiptaro-italian “Rruga e paqes”, në nder të Nënë Terezës në parkun kombëtar, ku do të vendosen gurë të nënshkruar nga presidentë të vendeve të ndryshme, në favor të paqes. Në Vaun e Dejës, mesha solemne, kryesuar nga Nunci Apostolik në Shqipëri. Mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. E pastaj, një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, një koncert në Durrës, shfaqje filmash, mbrëmje muzikale-poetike në Kështjellën e Rozafës në Shkodër, paraqitja e projektit të Memorialit të Nënë Terezës.
Në mjediset e parlamentit të Kosovës u hap dje një ekspozitë për të Lumen shqiptare. Ura mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, u emërtua “Ura e paqes – Nënë Tereza”. Me fjalë nderimi e falenderimi për veprën e palodhur të Ganxhe Bojaxhiut u shprehën përfaqësuesit e tri bashkësive fetare në vend.
Parlamenti i Maqedonisë mbajti sot një seancë solemne për të kujtuar 100-vjetorin e lindjes së motrës me sari bardhë e blu. U paraqit çmimi, që do të mbajë emrin “Nënë Tereza”. Në shtëpinë përkujtimore të saj në Shkup u hap ekspozita e fotografive “Nëna Terezë – Nëna e të varfërve” nga artisti kroat Zvonimir Atletiq. U promovua monografia “Jeni të bekuar, lutje dhe mesazhe” e pastaj qindra aktivitete e manifestime e shfaqje filmash. U paraqit kënga “Një shekull dashuri” kënduar nga një grup artistësh shqiptarë të Maqedonisë.
Në Kalkutë të Indisë, presidenti indian Pratiba Patil kryesoi një ceremoni kremtore për Nënë Terezën. Motrat e saj u mblodhën në mëngjes për të kremtuar meshën, kryesuar nga kardinali Topo.
Edhe SHBA-të do të zbukurohen me ngjyrat e Misionareve të Bamirësisë. Në mbrëmje, Time Square në Nju Jork dhe “Ura e paqes” mbi Niagarë do të ndriçohen nga ngjyrat bardhë e blu të sarit të Nënë Terezës.
Romë, presidenti i provincës, me një ceremoni ku merrnin pjesë edhe motrat e së Lumes, zbuloi një gjigantografi mbi portën e Pallatit Valentini, seli e Provincës. E ndër iniciativat e shumta në kryeqytetin italian, edhe diçka për të ardhmen: më 21 shtator, Nënë Tereza do të përkujtohet në bashki, ndërsa më 19 dhjetor do të mbahet një koncert për nder të saj me titull “10 yje për Nënë Terezën” në auditoriumin “Parku i Muzikës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.