2010-08-26 13:17:01

Letër e motër Mary Premës, Eprore e Përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë, drejtuar bashkëpunëtorëve për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës


(26.08.2010 RV)Të dashur vëllezër e motra kudo nëpër botë

Nënë Tereza lindi 100 vjet më parë në Shkup (Maqedonia aktuale), më 26 gusht 1910.
Puna dhe vepra e saj vazhdon të jetë frymëzim për të rinj e të moshuar, për të pasur e të varfër nga të gjitha shtresat shoqërore, fetë apo kombet. Mesazhi i saj: “Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha – për të dashur e për t’u dashur”, na bën të shohim përtej betejave, vetmisë dhe padrejtësive të jetës së përditshme. Ne jemi të thirrur për diçka jashtëzakonisht më të madhe se sa pasuria, talenti, fama ose kënaqësitë e çastit. Ne jemi të thirrur të shohim Zotin, Atin tonë të dashur, dhe të kuptojmë se Ai na do me një dashuri pa kushte, të ëmbël e të amshuar; e ne jemi të thirrur ta ndajmë atë dashuri me njerëzit që na rrethojnë, duke filluar nga familja. Sipas fjalëve të Nënës, “Buzëqeshini njëri-tjetrit, gjeni kohë për njëri-tjetrin në familje. Nuk mund ta marrim me mend sa mirë mund të bëjë një buzëqeshje e thjeshtë”.
Në Shtëpinë tonë të Fëmijëve (Shishu Bhavan) në Kalkutë, ka jetuar deri 39 vjeç një vajzë me të meta të mëdha fizike. Emri i saj ishte Sundari, që do të thotë “e mrekullueshme”. Ajo s’kishte asgjë e s’mund të bëntë asgjë me trupin e saj të kapërthyer, vetëm rrinte në shtrat. Por një gjë e bënte mirë – dhuronte një buzëqeshje të jashtëzakonshme, më një gëzim që i ndriçonte krejt fytyrën e që komunikonte dashurinë e madhe, që kishte në zemër. Ajo e dinte se kishte njerëz që e donin dhe kujdeseshin për të, se ajo ishte e çmuar për shumëkënd. Sundari nuk ishte e bukur, por ajo ishte jashtëzakonisht e mrekullueshme.
Le të kremtojmë 100-vjetorin e lindjes së Nënës duke e ndarë gëzimin e dhënies e të marrjes së dashurisë. Të lutemi që ta shohim më mirë dashurinë e Zotit për ne.
Plot me dashurinë e Zotit, ne do të bëhemi bartës të dashurisë së Tij për ata që na rrethojnë, duke bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, duke dhuruar një buzëqeshje, një fjalë të mirë dhe një dorë për ndihmë. Këto gjëra të vogla, bërë me dashuri të madhe, do ta bëjnë jetën tonë “diçka të mrekullueshme për Zotin”. Kështu, bota përreth nesh do të shndërrohet, sepse “Buzëqeshja bën të lindin buzëqeshje e dashuria thërret dashurinë”.

Zoti ju bekoftë
Motër M. Prema M.C.
Eprore e Përgjithshme








All the contents on this site are copyrighted ©.