2010-08-26 15:32:26

Këshilltari i presidentit amerikan Obama për çështjet fetare në Mitingun e Riminit: të forcohet impenjimi në edukim e familje.


(25.08.2010 RV)“Përvoja që edukojnë” është titulli i njërës nga tryezat e shumta të rrumbullakëta, që karakterizojnë këto ditë Takimin e Riminit, organizuar nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”. Kujtojmë se Mitingu ka filluar të dielën në qytetin bregdetar italian, me temë: “Ajo që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha është zemra”. Ndër relatorët, është i pranishëm edhe këshilltari i presidentit amerikan Barak Obama për çështjet fetare, rev. Joshua Dybua. Në ndërhyrjen e tij, ai u ndal në rëndësinë e familjes dhe të edukimit për të luftuar varfërinë dhe mënjanimin shoqëror. I afruam mikrofonin e Radio Vatikanit, për ta pyetur si filloi impenjimi i tij në stafin e Obamës:
Herën e parë që e dëgjova presidentin të fliste ishte në vitin 2004, me rastin e Mbledhjes kombëtare të demokratëve për zgjedhjet presidenciale. Në atë fjalim, foli për Zotin “e jashtëzakonshëm”, që të gjithë e adhurojmë në këtë vend. Feja e tij e krishterë është e thellë, ashtu si edhe impenjimi i tij për një bashkëpunim të përgjegjshëm ndërmjet fesë e jetës publike.
Në Rimini, ju folët për përvoja që edukojnë. Për çfarë e kishit fjalën?
Kriza më e rëndë, që duhet përballuar në këtë çast është mungesa e arsimimit, sidomos humnera që ekziston ndërmjet të pasurve e të varfërve. Këtu duhet t’i bashkojmë forcat, duke i kapërcyer kufijtë kombëtarë. Fola edhe për rolin e prindërve në edukim: vërtet, janë ata që i njohin më mirë bijtë e tyre e ne duhet t’u japim mjetet për ta orientuar formimin dhe edukimin e fëmijëve. Së fundi, fola për rolin e organizatave fetare, që merren me arsimimin, si gjatë orarit të shkollës ashtu edhe pas saj. Sigurisht, Kisha Katolike bën një punë jashtëzakonisht të madhe për t’iu përgjigjur nevojave të më të mënjanuarve nga sistemi edukativ. Prandaj, e lavdërova shumë këtë impenjim dhe tregova si mund ta forcojmë rolin e organizatave fetare në fushën e arsimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.