Fjalimi i padëgjuar i Nënë Terezës në tribunën e Oslos, kur mori Çmimin Nobel për
Paqen
Ndonëse u shmangej intervistave, që e besdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në
Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, iu desh të mbante një nga fjalimet
më të rëndësishme. Nënë Tereza tregon: “Duhet të them se pranoj të shkoj në
ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin
njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar
fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një
të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në Oslo ndodhi një mrekulli
e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim
mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me
që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj
se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”. E të gjithë së bashku
nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së
cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse.
E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji
është shumë i vogël. Më pas fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë
vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma.
Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh
do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë
ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumkush
interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit.
Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një
nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin
njëri-tjetrit?!”. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati
i Shenjtë më tha:“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”.