2010-08-26 12:47:33

E Nënë Tereza ‘e fali’ Shqipërinë e saj!


Në shumë nga mjetet botërore të komunikimit këto ditë emri i Nënë Terezës zë kryet e vendit. Bota e kremton edhe kështu 100-vjetorin e lindjes të së Lumes shqiptare, duke kujtuar rrugën 100-vjeçare të jetës e të veprës së saj, që vijon.
Ndërmjet shumë shkrimeve, intervistave e transmetimeve televizive, është edhe një reportazh i gjatë, botuar dje në gazetën italiane ‘Avvenire”. Në krye, titulli simbolik “E Nënë Tereza ‘e fali’ Shqipërinë e saj” me nëntitull: “Shtegtim në shtëpitë e pritjes, themeluar nga e Lumja pas shembjes së komunizmit”. Një faqe e tërë, ilustruar me fotografi, që përshkojnë çastet më të rëndësishme të jetës së Gonxhe Bojaxhiut: Vajzë e re; murgeshë; themeluese e Misionareve të Bamirësisë; Çmim Nobel për Paqen; me Gjon Palin II; ditët e mbrame, ndërmjet ‘të vegjëlve’ të saj.
Datat kryesore të jetës, pastaj: ajo e lindjes, 26 gusht 1910; e themelimit të Misionareve të Bamirësisë, 7 tetor 1950; Çmimi Nobel për paqen, 17 tetor 1979; kthimi në shtëpinë e Atit qiellor, 5 shtator 1997; Lumnimi, në praninë e 300 mijë vetëve, Vatikan, 19 tetor 2003.
Pastaj shtegtimi i të dërguarit të gazetës, Giovanni Ruggiero, në Tiranë, ku gjithçka është gati për kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Përshkimi nëpër rrugët kryesore, me foto vigane të së Lumes, për të hyrë, pastaj nëpër rrugica, që pak kanë ndryshuar gjatë këtyre viteve. Tirana 1 e Tirana 2, rrethinat e kryeqytetit shqiptar, ku motrat e bamirësisë kujdesen për njerëzit e vetmuar, për të varfërit, pleqtë e vajzat-nëna.
“Kështu dinte të falte Nënë Tereza. E fali atdheun e vet, jo pse nuk e kishte pranuar, jo pse nuk e kishte lejuar as të derdhte një pikë loti mbi varrin e nënës e të motrës, por pse pati dëbuar nga trojet e veta Zotin me gjithë Shenjtorët”.
Kështu shkruhet në gazetën “Avvenire”, që kalon , pastaj , nga kremtimet shqiptare, në ato botërore, nën titullin : “Për ‘lapsin e Zotit”, nesër lutje në mbarë botën” e në shpjegimin e gjithë këtij nderimi, që bota i bën Bijës së një toke të vogël, të cilën ajo e bëri të njohur e të nderuar kudo shkeli.
E së fundi, arsyeja e gjithë këtij përkujtimi: “Ajo ishte dëshmitare, që tundte zemrat e të gjithëve. I tundte me fenë e saj, të shprehur përmes veprave konkrete. Duke fituar kështu edhe zemrat e hinduistëve e të myslimanëve. “Shpresoj se do t’ia dal mbanesh t’i kthej njerëzit në rrugën e Zotit – thoshte. E kur flas për kthim, kam parasysh kthimin e zemrave. Në se takohemi me Zotin, e mikpresim në jetën tonë, e kjo domethënë se jemi në rrugën e kthimit. Domethënë se bëhemi hinduistë më të mirë, myslimanë më të mirë, katolikë më të mirë”. Me këtë bindje Nënë Tereza, ashtu si Shën Pali, u bë “gjithçka për të gjithë”, e prandaj sot e nderojnë “gjithkund, të gjithë”, sepse u dha të varfërve në trup e në shpirt, një zjarr dashurie, që duke djegur, shpëton!Kështu “Avvenire”, ndërsa revista italiane “Famiglia Cristiana” i kushton Nënë Terezës, në njëqind vjetorin e lindjes, një shkrim të gjatë, titulluar “Një mesazh dashurie, pa kufij fesh”: Motra e vogël shqiptare dinte t’u fliste të gjithëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.