2010-08-25 16:51:27

Vatikani pohon se disa nga organizmat ndërkombëtare e promovojnë abortin


(25.08.2010 RV)“Disa nga organizmat ndërkombëtare, si Fondi i Kombeve të Bashkuara për popullsinë (Unfpa), janë duke provuar ta promovojnë abortin si të drejtë njerëzore, pikërisht në Vitin ndërkombëtar të të rinjve, që OKB-ja e përuruoi më 12 gushtin e kaluar”.
Është denoncim i gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ dhe Radios sonë, që citojnë kanalin e internetit të Unfpa, në të cilin ceken disa nisma në ndihmë të të rinjve. Ndërmjet tyre, promovimi i shërbimeve për shëndetin seksual e riprodhues, gjuhë e ndërlikuar kjo, pas së cilës fshihen fjalë krejt të kuptueshme për të gjithë: fjalët ‘ilaçe kundër shtatzanisë”, hyrë tashmë edhe në gjuhën shqipe me një përshtatje të lehtë gjuhësore, në formën kontracepsion apo kontraceptim, që do të tingëllonte më shqip: “kundër jetës”, dhe fjalën ‘abort’.
Flitet gjithashtu edhe për promovimin e edukimit seksual, të çliruar nga çdo lloj paragjykimi.
Gazeta ‘L’Osservatore Romano’ dhe Radio Vatikani nënvizojnë se, ashtu si në dokumentet e përkohshme, botuar për Konferencën përgatitore, që vijon deri më 27 gusht në Leon të Meksikës, nuk përmendet fare Konventa për të drejtat e fëmijës, dokument që, sigurisht, nuk mund të quhet i përsosur, por që nënvizon të drejtat dhe detyrat themelore të prindërve për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
Ftesa, që vjen nga Selia e Shenjtë, është që organizmat, të cilat promovojnë abortin, ta kenë mirë parasysh “Magna Kartën e Vlerave për një qytetërim të Ri”, paraqitur gjatë këtij muaji para Kombeve të Bashkuara nga Parlamenti universal i Rinisë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.