2010-08-25 17:54:22

Objektet shpirtërore të Nënë Terezës në muzeun historik në Tiranë


Muzeu Historik hap koleksionin e objekteve personale të humanistes Nënë Tereza. Libri dhe qilimi i lutjeve, rruzaret, ujëbekorja dhe enët e drekës në familjen Shpati, bashkë me fotografi, kujtime e botime të reja në ekspozitën "Shenjtorja e dhimbjes"
Një libër lutjesh, rruzaret, ujëbekorja, qilimi dhe enët e një darke të thjeshtë në familjen Shpati të Shkodrës janë të vetmet objekte personale të Nënë Terezës që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar.
Janë dhurata që bamirësja u ka bërë miqve të saj, familjeve që ka vizituar pas '90-ës dhe njerëzve të klerit në Shqipëri, me të cilët ka mbajtur kontakte për vite me radhë. Më 1997, kur Nënë Tereza u largua nga jeta, "padronët" e objekteve menduan që ato e kanë vendin në Muzeun e Shqipërisë.
Këtë fond modest, MHK e prezanton të plotë në ekspozitën "Shenjtorja e dhimbjes" që hapet nesër me rastin e 100-vjetorit të lindjes, bashkë me një seri fotografish, materialesh filmike dhe botimesh.
Po e vështrojmë më gjatë vitrinën e objekteve personale jo vetëm se janë si "ujët e pakët", por edhe na afrojnë më tepër me figurën e gruas bamirëse që e la e re Shqipërinë.
Vitrina e objekteve fetare është më e pasur se të tjerat. Frati Françeskan At Zef Pllumi ka sjellë në Muze më 1997-ën librin me lutje dhe këngë kishtare "Të lëvdojmë Zotin së bashku" dhe një ujëbekore. Këto dy objekte, bamirësja i la në Kishën Françeskane më 1991.
Për ujëbekoren, muzeologia Sotirulla Hoxha, që është marrë me përgatitjen e këtij seksioni të ekspozitës, thotë se "është një objekt prej bronzi, punim artizanal interesant që përdorej në ritualet e ndryshme fetare".
Në "baulen e besimit" është edhe një qilim lutjesh me motive shqiptare, të cilin nuk e shohim bashkë me objektet e tjera, dy ditë para hapjes së ekspozitës. Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza" që e ruan këtë qilim mendohet ta sjellë në MHK pak orë para hapjes së ekspozitës.
Sipas Hoxhës, qilimi i lutjeve u kujton njerëzve vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri më 1989. Ditën kur u largua nga Shqipëria misionares iu dhurua nga qeveria shqiptare ky qilim i punuar në mënyrë artizanale nga ish-ndërmarrja artistike.
"Sapo e shikon, menjëherë bien në sy motive të njohura për shumë familje shqiptare, që i kishin në shtëpitë e tyre. Vihet re qartë simboli i shqiponjës i punuar në të, figurat gjeometrike, ngjyrat karakteristike (bezha, e kuqja, e zeza).
Nga motivet, duket i Shqipërisë së Veriut, përafron me zonën e Prizrenit. Mendohet që këtë qilim Nënë Tereza e ka përdorur në ditët e lutjeve, ndoshta edhe deri në ditët e fundit të jetës, më 5 shtator të 1997-ës". Përpara se të vinte në fondacionin "Nënë Tereza", qilimi është mbajtur në Arqipeshkvinë e Tiranës.
Arqipeshkvi Imzot Rrok Mirdita, që ka mbajtur lidhje me bamirësen edhe gjatë aktivitetit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndihmuar që qilimi të merret nga shtëpia e misionareve të Nënë Terezës në Kalkutë dhe të jetë pjesë e fondit shqiptar të objekteve.
Më 10 mars 1991, Nënë Tereza bëri një ndalesë të gjatë në Shkodër në familjen e misionares Terezina Marubi (Shpati).
Ajo drekoi me njerëzit e kësaj familjeje. Pjata, piruni, luga, thika, me të cilat ka ngrënë Nënë Tereza, po edhe peshqiri që ka fshirë duart, kanë ardhur në MHK më 1997 dhe ekspozohen nesër për vizitorët e Teatrit Kombëtar.
Familja Marubi dhe Paruca (mbiemri i vajzërisë së këngëtares Marie Kraja) kanë pasur miqësi me familjen Bojaxhi. Për këto familje, humanistja e njohur në mbarë botën ishte thjesht Gonxhe Bojaxhiu, e bija e Drane Bojaxhiut dhe motra e Ages.
Është e njohur lidhja e ngushtë e bamirëses me familjen e këngëtares së njohur lirike, Marie Krajës. Në vizitën e dytë të saj, Nënë Tereza i dhuron Maries një komplet gota bronzi në emër të miqësisë së vjetër. Gotat vinin nga India. "Janë gota të thjeshta, ashtu siç ishte Nënë Tereza. Gjithçka që ka lidhje me të është e tillë", sqaron diçka më shumë muzeologia Hoxha. Edhe gotat prezantohen në këtë ekspozitë.
Nënë Tereza shkruan...
Në koleksionin personal të nobelistes shqiptare ruhen edhe korrespondencat e saj me familjet Kraja dhe Shpati, Vorfi, Zajmi. Ato datojnë që nga viti 1989 e deri kur u largua nga jeta. Në ekspozitë prezantohen letërkëmbimet me Marie Krajën dhe me të bijën Inisin.
Nga muzeologia Sotirulla Hoxha mësojmë edhe "për një letër dërguar Niko Naskës, i cili u kujdes për varrimin e motrës dhe nënës së Nënë Terezës, një letër dërguar Katerina Pulit, Ministre e Shëndetësisë në atë kohë, mjekes Adelina Mazreku dhe një letër dërguar Pjetër Arbnorit.
Më e dashura dhe më e dhimbshmja nga letrat është ajo që i dërgon popullit shqiptar, në mars të vitit 1997. Aty shpreh dhimbjen dhe mallin dhe i bën thirrje të shohë brenda vetes dhe të heqë dorë nga armët. Këtë thirrje ia dërgon shqiptarëve nëpërmjet Ambasadorit tonë në Vatikan, Pjetër Pepës".
Po sjellim këtu një fragment nga letra dërguar Pepës më 1999. Nënë Tereza shkruan:
"Lajmet mbi trazirat që kanë ndodhur në atdheun tonë të mrekullueshëm më kanë shkaktuar pikëllim të madh.
Ju e dini sa fort e dua Shqipërinë, të cilën e kam vizituar shpesh dhe ku kam dërguar motrat e mia për të përcjellë dashuri e kujdes tek të varfrit. Ka shumë dhimbje në zemrën time, kur dëgjoj se po humbasin jetë njerëzish e të tjerë po plagosen prej dhunës.
E kuptoj vuajtjen e atyre që humbën paratë e tyre, por ju lutem mos i shkaktoni njeri-tjetrit më shumë vuajtje. Kujtoni se Zoti ka krijuar secilin prej nesh për gjëra më të mëdha-të duam dhe të na duan. Ky është kuptimi i jetës, të cilën asnjë vuajtje nuk mund ta largojë prej nesh".
Fotografi, kronika, botime
Ekspozita që hapet nesër në hollin e Muzeut Historik Kombëtar dhe qëndron deri në mesin e muajit shtator, përveç objekteve personale të nobelistes Nënë Tereza përmban fotografi, materiale filmike dhe botime.
Ekspozita fotografike ndjek rrjedhën kronologjike të jetës dhe veprimtarisë bamirëse të Nënë Terezës.
Ajo nis me fotografi të familjes së saj në Prizren dhe vijon me shpërnguljen në Shkup, vendi ku lindi Gonxhe Bojaxhi më 26 gusht të vitit 1910. Në këtë pjesë të seksionit fotografik shihen fragmente nga fëmijëria e saj, jeta e shkollës, nga koha ku mori mësimet e para kishtare, deri sa merr thirrjen e parë, lë Shqipërinë dhe largohet për në Dublin.
Numri më i madh i fotografive të ekspozitës i kushtohet veprimtarisë së saj në Kalkutë, në shërbim të të sëmurëve, të plagosurve, të dhunuarve, lebrozëve. Krah tyre rrinë foto të Nënë Terezës me personalitete të huaja, foto të takimeve me shqiptarët e diasporës, foto nga çasti i lumturimit të saj në Vatikan, marrja e çmimit Nobel më 1979 etj.
Për fotografitë janë shfrytëzuar burimet: Agjencia e lajmeve (ATSH), botime, albume të bibliografit Dom Lush Gjergji dhe fonde private të njerëzve që e kanë njohur Nënë Terezën. Sipër fotove mbishkruhen thënie, mesazhe, lutje, poezi.
Ekspozitat fotografike të hapura kohët e fundit në kryeqytet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës i përngjajnë shumë njëra-tjetrës dhe prezantojnë fotografi të njohura dhe të publikuara më parë. Muzeologu Enver Kushi, që merret në veçanti me përmbajtjen e kësaj ekspozite, shpjegon do të ketë edhe disa imazhe të papublikuara më parë.
"Ka disa fotografi të reja, që na i dhuroi imzot Rrok Mirdita. Aty shihet Nënë Tereza në takimet e herë pas hershme që bënte në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës. Bëhet fjalë për vizitën që ka bërë në Amerikë në vitet '80-të, në kulmin e veprimtarisë së saj bamirëse".
Fotografitë do të veshin faqet e disa kubave të mëdhenj të ndriçuar me neone. Këtë ide ka pasur piktori Fatmir Boshnjaku, që është kujdesur për anën grafike të ekspozitës.
Pjesë e këtij prezantimi janë edhe disa pulla poste origjinale me imazhin e Nënë Terezës të emetuara nga Posta Shqiptare. Ato i janë dhuruar Muzeut pas vdekjes së Nënë Terezës nga Presidenti i Shqipërisë në atë kohë, Rexhep Mejdani.
Një kënd më vete i ekspozitës i është lënë kinemasë 20-vendëshe, që instalohet enkas për këtë rast.
Në një ekran mesatar shfaqen një film kronikal për ceremoninë e lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan, filmi ky që u shfaq dy ditë më parë në Arkivin Qendror të Filmit; një film dokumentar për figurën e shenjtores, realizuar këtë vit nga regjisori Kujtim Gjonaj; një film kronikë 35 minuta i përgatitur nga Kreshnik Hashorva, i cili ka shfrytëzuar Arkivin e Radio-Televizionit Shqiptar. Nga Hashorva kemi edhe një material filmik përgatitur për kardinal Koliqin.
Në një ekran tjetër mendohet të shfaqen imazhe të tjera fotografike dhe filmike. Poezi të shkruara nga Nënë Tereza interpretohen nga aktoret Tinka Kurti, Roza Anagnosti dhe Margarita Xhepa.
Seksioni i fundit i ekspozitës i takon botimeve. Aty prezantohen dy libra "të shkruar" më 1997, dëshmi të dhimbjes për humbjen e Nënë Terezës. Është libri i homazheve i hapur nga Ambasada Shqiptare në Selinë e Shenjtë në Vatikan me rastin e vdekjes së humanistes dhe libri i homazheve të qeverisë shqiptare.
Një botim i ri, i ideuar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, prezantohet për herë të parë nesër në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Njerëz të politikës dhe të klerit katolik në Shqipëri rrëfejnë aty kujtime nga vizita e Nënë Terezës në Shqipëri. Ka kujtime të vetë drejtorit të MHK-së, kujtime të Liri Berishës, presidente e fondacionit "Nënë Tereza", të mjekes Adelina Mazreku, arqipeshkvit Monsinjor Rrok Mirdita, ish-ambasadorit tonë në Poloni Enver Faja dhe një kujtim nga Pjetër Arbnori.
Libri ka 140 faqe dhe shoqërohet me një CD, ku mund të dëgjohen lutje dhe poezi të Nënë Terezës, të interpretuara nga aktoret që u përmendën më sipër.
Janë të rralla ato kujtime që serviren për Nënë Tereza, nga njerëz të thjeshtë që e kanë njohur dhe i kanë qëndruar pranë.
Këtu përfundon udhëtimi në jetën e "Shenjtores së dhimbjes". Punonjësit e Muzeut Kombëtar shpjegojnë se kjo ekspozitë, ndryshe nga ato në raste të tjera përvjetorësh, vjen më e plotë dhe më e pasur.
nga SHEKULLI, JORIDA PASKU | 25/08/2010 | KULTURE







All the contents on this site are copyrighted ©.