Me 25 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Ludoviku (Luigji IX), Mbret i Francës
(25.08.2010 RV)Luigji IX, sovran i Francës, lindi më 25 prill 1215 në Puasi.
I kurorëzuar mbret i Francës, mori mbi vete, para Hyjit e para njerëzve, detyrën të
mbronte Ungjillin. Në vitin 1244 e zunë ca ethe të forta. Si u shërua, u vu vetë në
krye të një kryqëzate për çlirimin e Tokës Shenjte. Zbarkoi në Egjipt, ku i sulmoi
saraçenët pranë qytetit Damista. Por ndërsa vijonte beteja, në ushtrinë e tij u përhap
me shpejtësi murtaja, nga e cila u prekën me qindra vetë, e edhe mbreti. Si
u shërua, vijoi sulmet kundër turqve, por u mund, u kap e u trajtua si rob lufte.
Me që u lirua, vijoi rrugën si shtegtar në Tokën Shenjte, ku kreu shumë vepra të mira.
I kthyer në Francë, qeverisi me drejtësi të krishterë e mëshirë, themeloi universitetin
e Sorbonës e përgatiti një kryqëzatë të re. Por sapo arriti në Tunizi, një epidemi
e fortë ia shkatërroi ushtrinë. Kur ndjeu se po i afrohej vdekja, mbreti, që i përkiste
Urdhërit françeskan shekullar, kërkoi ta shtrinin mbi një krevat të mbuluar me hi
e me grathore, ku dha shpirt. Ishte data 25 gusht e vitit 1270. Ludovik, emër shumë
i përhapur ndër katolikët shqiptarë, është variant i emrit Klodoveo. Në ikona paraqitet
me simbolet e kurorës e të globit.Martiriologu Romak e përshkruan kështu: “Shën Luigji
IX, mbret i Francës, u bë i njohur për fenë e gjallë, si në kohë paqeje, ashtu edhe
në luftërat për mbrojtjen e të krishterëve, për drejtësi në qeverisje, dashuri ndaj
të varfërve e përballim me qëndresë të të gjitha fatkeqësive. Si mori sakramentin
e martesës, pati njëmbëdhjetë fëmijë, të cilëve u dha edukatë të shëndoshë humane
e fetare. Për të nderuar kryqin, kurorën me ferra dhe varrin e Zotit, nuk kursei mjete,
forca e as vetë jetën. Vdiq nga murtaja në fushimin e tij, pranë Tunizit, në bregdetin
e Afrikës veriore.