Kudo në botë kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës
(25.08.2010 RV)Flamujt e kuq me shqiponjën dykrenore mbushin bulevradin “Dëshmorët
e Kombit” në Tiranë. Fotografitë e Nënë Terezës janë vendosur kudo mbi pallate. Kryeqyteti
i Shqipërisë është gati të kremtojë 100-vjetorin e lindjes së të Lumes së bamirësisë.
Por “lapsi i vogël në dorën e Zotit” do të kujtohet në të gjithë botën me lutje
e me ekspozita, me konferenca e me koncerte. Në Kalkutë do të kremtohet një
Meshë solemne në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë, kryesuar nga kardinali Telesfor
Topo. Në Shkup, ku Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, dita do të fillojë me
një sesion përkujtimor të parlamentit maqedonas dhe me paraqitjen e çmimit, që do
të mbajë emrin e saj. Nga Tirana do të bëhet shtegtimi kombëtar drejt katedrales
së Vaut të Dejës, kushtuar së Lumes, ndërsa Prishtina do të kujtojë motrën
shqiptare në veçanti, më 5 shtator, dita e kalimit të saj në amshim, me një meshë
në katedralen akoma të papërfunduar të Nënë Terezës. I ngjeshur edhe
kalendari i kremtimeve në Itali. Kardinali Anxhelo Komastri do të kryesojë
meshën nesër në orën 19.00, në bazilikën romake të Shën Lorencit në Damazo, e cila
do të paraprihet nga ekspozita fotografike në Pallatin e Kancelarisë. Kremtime të
tjera do të mbahen në Gjenovë, Milano, Firence, Bolonjë e Raguzë.