2010-08-24 13:21:49

Ne vinim nga FERRI! Takimi i artistëve shqiptarë me Nënë Terezën në 1989 në Romë


Suzana Varvarica Kuka
Sapo e pashë foton e hedhur në facebook hodha me fjalë ofshamën plot trishtim dhe befasi “O my God”. Në çast mendova se është një foto plot vlerë në çdo milimetër të saj. Desha t`i gjej një titull, por titull më domethënës se ai që gjeta në fjalët e Mustafa Arapit nuk do të gjehej më mirë. “Ne vinim nga FERRI”, duket një foto e çastit, dhe krejt normale që një e tillë është, por është marrë në një vend të caktuar, në një kohë të caktuar dhe në një situatë ankthi dhe dëshire. Ka imazhin e disa njerëzve, të cilët me punën e tyre janë sot pjesë e shoqërisë aktive shqiptare, por mendoj se në baziken e saj ka një vlerë të pashoqe historike. Imazhi i saj sjell një nga format e kohës së “butë” apo kohës kalimtare ndërmjet dy kohëve, komunizmit dhe demokracisë. Vemendja ime ndaj fotos ishte e një shkalle të lartë intensiteti, pasi edhe pse është një foto fakti ajo ruan në qendër Nënë Terezën, figurën e një gruaje, që në ditët e sotme njihet dhe respektohet në të gjithë botën. Ndërsa në Shqipëri është shpallur Gruaja e vitit 2010. Edhe çasti që kjo foto u hodh në facebook lidhej plotësisht më këtë ide, por në shkaqe krejt individuale.
Mustafa Arapi një prej piktorëve të njohur në artin shqiptar të kësaj periudhe e vendosi me qëllimin e lartë për ta kujtuar dhe respektuar Zonjën Nënë. Ajo është shkrepur prej piktorit Adrian Devolli dhe është realizuar me aparatin e Mustafa Arapit. Imazhi i saj realizua në vitin 1989, në Romë, në hyrjen e ndërtesës së Ambasadës së Republikës Socialiste të Shqipërisë, e quajtur para viteve ‘90. Mustafa Arapi është krenar që është gjendur në atë çast pranë Nënë Terezës dhe mendon se me ekspozimin në facebook të kësaj fotoje do të shprehte respektin e tij në 100 vjetorin e lindjes së saj. Dhe në formën më të qartë,kjo foto e ka arritur më së miri qëllimin e piktorit.
Historia
Fotoja ruan një histori të sajën, që është një histori fakti dhe me densitet të fortë. Gjithashtu ajo buron dhe histori të ndryshme të personazheve që përbëjnë imazhin e saj. Ka qenë fati i këtyre artistëve për të takuar dhe për të parë nga afër, për herë të parë Nënë Terezën e përfoluar aq shumë nga sistemi diktatorial. Duhet të ketë qënë një nga vizitat e Nënë Terezës në Ambasadën e Shqipërisë në Romë për arsye të marrjes së një vize për të hyrë në tokën shqiptare dhe radha e refuzimit kategorik prej shtetit komunist. Këto dy arsye, krejt të shkëputura nga njëra-tjetra, mendohet se i kanë bërë bashkë artistët dhe Nënë Terezën. Fotoja ka një qendër, ka një subjekt, ka personazhe të karaktereve të ndryshme, ka ndjesi të ndryshme, ka atmosferë dhe i lë shumë shanse gjithkujt për të menduar, gjykuar dhe vlerësuar kohën dhe aktin që ajo mbart. Subjektin e fotos e formojnë Nënë Tereza e vendosur në qendër dhe grupi i artistëve shqiptarë, të cilët relativisht janë të gjithë të rinj e që janë ngucur për t‘i qenë pranë e rreth. Nënë Tereza për kohët komuniste shqiptare ishte një grua e njohur pak nga artistët shqiptarë dhe e gjykuar shumë rëndë nga qarqet qeveritare diktatoriale, të cilat e kanë etiketuar përmes medias fanatike me epitete fyese të çfarëdoshme. Ato e quajtën për shumë vite një grua të pamoralshme.
Rrëfimet mbi takimin
Për të njohur e ditur më shumë rreth ngjarjes iu drejtova tre prej personaliteve të artit pamor shqiptar të kohës sonë. Ata u shprehën optimist për të treguar sa më shumë rreth saj. Mustafa Arapi në letrën e tij referuese shkruan. “Zana të përshëndes. Më vjen mirë që foto krijoi interes midis miqsh artistë, njëkohësisht më vjen mirë që nëpërmjet saj do të kujtojmë atë kohë me të mira dhe të liga. Atëherë NA ISHTE SEÇ NA ISHTE. Na ishte një muze që po ndërtohej, kur e shikoje përballë dukej trekëndësh me bazë poshtë si një piramidë dhe nga sipër si një shqiponjë (shqiponjë i thënçin). Skllevërit që punuan aty si arkitektë, skulptorë dhe piktorë morën nga një medalje si dhe një dhuratë. Dhurata ishte një udhëtim turistik nëpër Itali. Ishte viti 1989. Nuk më kujtohet mirë por di që ka qenë verë, korrik ose gusht. Memorjen ma freskon një shishe me ujë të ftohtë, të cilën e blemë sëbashku me Lumen, Blloshmin e kam fjalën, kur ishim në Firence. Më kujtohet që shishja e ujit atëhere kushtonte 2000 lireta sa kushton tani këtu tek ne. U matëm 100 herë për ta blerë ujin. Kishim gjithë ditën pa pirë ujë. Na thanë se ai i çesmeve nuk pihej. Në grupin tonë mund të kemi qenë gjithsej rreth 35 vetë, sepse më kujtohet nga vendet në autobus. Mos të harroj dhe dy dullbaxha, të cilët qëndronin njëri në fillim dhe tjetri në fund. Me grupin tonë u bashkangjitën dhe disa artistë të tjerë, të cilët kishin marrë çmime në ekspozitën kombëtare të atij viti. Zana, historia e asaj fotoje është ashtu siç e tregon dhe Gaz Leka. Di që personi, i cili u soll keq atë ditë në ambasadë ka qenë deri para një viti punonjës po në Ministrinë e Jashtme. Udhëtimi turistik zgjati një javë. Rruga udhëtuese vijoi nga Gumenica, në Bari, Taranto, Ostun, Napoli, Romë, Firence dhe kthimi po nga Gumenica. Qëllimi ishte të shihnim monumente, muze dhe galeri arti.
Zana, të dëgjosh historitë e këtij udhëtimi të vjen të qash dhe të qeshësh. Ne ishim artistë dhe aty e kuptuam se rinia jonë na kishte shkuar për lesh. Nëse do të shkruash gjatë e gjërë t‘i tregoj unë historitë e atij udhëtimi, por shkurt po të them se, ne për herë të parë shihnim një botë tjetër, ne vinim nga FERRI”.
Lumturi Blloshmi tregon rastin e saj i cili është një kalvar i vërtet fyerjesh nga njerëz të cilët Mustafai i quan dullbaxha (janë spiunët apo levat e megamakinës së madhe komuniste të asaj kohe që e bënin këtë punë për shumë pak para), frikash prej presionit psikologjik që i kujtonte asaj se ishte një qenie e persekutuar dhe dëshirash për të dalë jashtë mureve të Shqipërisë e për të cekur sadopak artin perëndimor, e mbi të gjitha atë italian. Lumja thotë se: “Ishte viti 1989, dy vjet para demokracisë. Aq sa di unë këtë veprimtari e organizoi Ministria Arsimit e asaj kohe. Grupin tonë e shoqëruan 4 spiunë. Midis tyre një grua e shëndoshë. Mbaj mend mirë në fillim më thërritën në organet e sigurimit dhe më thanë të kemi caktuar edhe ty të dalësh jashtë Shqipërisë. Më erdhi shumë e papritur pasi unë isha një prej të persekutuarve dhe thashë se do të ishte ndonjë provokim. Më pas më thërritën e më thanë se nuk do të shkoja. Më mirë thashë me vete. Pastaj përsëri më thërritën e më thanë se do të shkoja, por më rikujtuan kushtet e mia sociale dhe më urdhëruan të mos arratisesha, pasi partia më kishte dhënë dorën. Ata më vunë në dijeni për disa njerëz të tyre që do të na shoqëronin. E di shumë mirë, mua më pranuan se kishte folur pozitivisht shkrimtari i mirënjohur, i ndjeri Vath Koreshi”.
Pasi i kërkova Gazmend Lekës mundësinë për të përdorur thëniet e tij të shkruara për Mustafain zbuloj se atij i janë ngulitur në mendje fyerjet e bëra ndaj Nënë Terezës prej personelit të Ambasadës Shqiptare në Romë. Ai kujton se: “Këtë foto e kam patur dhe e kam edhe unë në arkivin tim. Nuk e di nëse e mbani mend, i shkruan ai Arapit, kur Nënë Tereza u gjend tek porta e ambasadës, ne u grumbulluam me një shpejtësi rrufeje rreth saj. Për këtë që ndodhi një punonjës i ambasadës u shqetësua aq shumë sa nuk dinte se çfarë fliste, ndërkohë që i qeshte Nënës me hipokrizi. Ai tentoi disa herë të na ndalonte duke mërmëritur nëpër dhëmbë e duke sharë.
- Kjo është armike!
- Është spiune!
- Mos e bëni foton!
- Do i‘ua tregojmë ne qejfin etj,etj...Më pas shau edhe më turpshëm. Tha fjalën më të turpshme. Por sa më vjen mirë si aso kohe si dhe sot që ne nuk donim t’ia dinim. Dëshironim me çdo kusht të bënim foton. Dhe e bëmë. Disa vite më pas, kur e takova përsëri këtë punonjës ambasade, ia kujtova ngjarjen, por nuk e pranoi që i kishte nxjerrë nga goja atë të vjellë!”
Disa nga artistët e dalë në këtë foto janë Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Lume Blloshmi me kurriz, Sofokli Koci, Artur Muharremi, Genci Hajdari, Dashamir Gurabardhi, Arben Morina, Josif Droboniku, Leon Çika e të tjerë. Pak fakte janë përmendur në këtë shkrim dhe kjo foto e meriton të titullohet “Ne vinim nga Ferri!

Marrë nga Balkanweb

Dërguar më: 22/08/2010 - 10:14







All the contents on this site are copyrighted ©.