2010-08-24 15:43:08

Mitingu i Riminit: takim ndërmjet kardinalit Erdë dhe mitropolitit Filaret mbi temën “A mund të besojë në Jezu Krishtin një evropian i ditëve tona?”


(24.08.2010 RV)Vazhdon në Rimini të Italisë, Mitingu i organizuar si çdo vit, nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”. Tema e sivjetme: “Ajo që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha është zemra”. Spikati konfrontimi ndërmjet kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, kardinali Peter Erdë dhe mitropolitit ortodoks të Minskut e të krejt Biellorusisë, Filaret. Të dy u përpoqën t’i përgjigjen pyetjes: “A mund të besojë në Jezu Krishtin një evropian i ditëve tona?”
Kardinali Erdë, duke pranuar se në shumë vende të Evropës e në shtresa të ndryshme të popullsisë së saj, prania e intelektualëve të krishterë është dobësuar jashtëzakonisht, nënvizoi se nuk ka themel e bazë tjetër, që ta ketë modeluar kontinentin e vjetër, më shumë se krishterimi. Intelektuali i sotëm evropian, shtoi ai, interesohet për çështjet e mëdha të jetës e të botës, kërkon kuptimin e vlerat e jetës për personat e për shoqërinë, e njeh kontributin e madh të trashëgimisë së krishterë e të asaj greko-romake dhe e mban atë parasysh në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes themelore mbi kuptimin e jetës, por, intelektuali evropian sot nuk është gjithmonë i krishterë. Feja në Krishtin, theksoi kardinali Erdë, nuk është rezultat i thjeshtë i arsyetimit njerëzor, por është dhuratë e Zotit, është hir. Shpallja e këtij mesazhi është detyra e misionarëve të ungjillëzimit të ri të Evropës e kjo i lidh katolikët me ortodoksët lindorë, për të realizuar frymëmarrjen e kontinentit me të dyja mushkëritë.
Por, kapërcimi i dyshimeve dhe rrënjosja e fesë është e mundur vetëm përmes punës së ndërgjegjësimit, vuri në dukje nga ana e tij, mitropoliti i Minskut, Filaret. E ndërgjegjja nuk duhet të heshtë, vazhdoi ai, por duhet të djegë gënjeshtrën që zë vend në zemra e t’ia çjerrë maskën mëkatit brenda shpirtit. Nëse ndërgjegjes i mbyllet goja – e mjetet për këtë janë të shumta – lind dëshira për ta hequr qafe fenë, si të ishte një pengesë, që nuk na lejon të korruptohemi duke ndjekur pasionet e lehta e të rreme.
Pavarësisht nga tema e rëndësishme e diskutimit, takimi ndërmjet kardinalit Erdë dhe mitropolitit Filaret është konsideruar “historik” dhe hap përpara në rrugën e ekumenizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.