2010-08-24 15:41:11

Festa e shën Bartolomeut. Në katekizmin mbi apostujt, Papa kujton se ndjekja e rrugës së Krishtit nuk ka nevojë për vepra sensacionale


(24.08.2010 RV)Kisha kremton sot festën e Shën Bartolomeut apostull, i njohur gjerësisht me emrin Nataniel. Pas Ngjitjes së Zotit në qiell, predikoi Ungjillin në rajone të ndryshme të Azisë e në gjysmën e shekullit të parë, u martirizua. Benedikti XVI i ka kushtuar shën Bartolomeut, audiencën e përgjithshme të 4 tetorit 2006. Shën Bartolomeu – tha Papa në atë rast – qëndron para nesh për të na thënë se pranimi e ndjekja e Jezu Krishtit mund të jetohet e të dëshmohet pa pasur nevojë të bëhen vepra sensacionale.


Tradicionalisht, shën Bartolomeu apostull, që vinte nga Kana e Galilesë, njihet si Nataniel, që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Shën Filipi apostull i pati thënë se kishte gjetur Atë, për të cilin kishin shkruar Moisiu dhe profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti. Por Natanieli iu përgjigj Filipit me paragjykim, duke i thënë: “A mund të vijë gjë e mirë nga Nazareti?” Ky kundërshtim është i rëndësishëm edhe për ne, siç na mëson Benedikti XVI:
“Vërtet, ai na tregon se, sipas mendimit judaik, Mesia nuk mund të vinte nga një fshat kaq i errët si Nazareti. Por, njëkohësisht, na vë në dukje lirinë e Zotit, që na habit, duke shkuar aty, ku askush nuk e pret. Nga ana tjetër, e dimë se Jezusi nuk ishte vetëm “nga Nazareti”, por se lindi në Betlehem e se vinte nga qielli, nga Ati që është në qiell”.
Jeta e Natanielit na sugjeron një reflektim tjetër: në marrëdhëniet tona me Jezusin nuk duhet të kënaqemi vetëm me fjalët. Kemi nevojë ta shohim, të përjetojmë praninë e Tij:
“Dëshmia e tjetërkujt është sigurisht e rëndësishme, pasi normalisht krejt jeta jonë e krishterë fillon me shpalljen e Lajmit të Mirë, që arrin deri tek ne përmes një e më shumë dëshmitarëve. Por, pastaj, duhet të jemi ne vetë, që duhet të hyjmë në marrëdhënie intime e të thella me Jezusin”.
Natanieli ia beson jetën e vet Jezu Krishtit, duke i thënë: “Rabi, ti je Biri i Zotit, ti je mbreti i Izraelit”. Këtu shihen qartë dy natyrat e Jezusit, të cilat nuk duhet t’i harrojmë kurrë, thotë Papa:
“Duhet t’i kemi gjithnjë parasysh si njërën, ashtu edhe tjetrën e këtyre dy përmasave, pasi nëse shpallim vetëm përmasën hyjnore të Jezusit, rrezikojmë ta kthejmë Atë në një qenie efimere e të pakapshme, e nëse, në të kundërtën, do të njihnim vetëm ardhjen e Tij në histori, do të linim mënjanë përmasën hyjnore, që e cilëson si duhet”.
Që nga Mesjeta, u përhap gjerësisht tregimi i martirizimit të Natanielit, të cilit iu rrjep lëkura. Në skenën e Gjykimit të Mbramë në Kapelën Sikstine në Vatikan, Mikelanxhelo e ka pikturuar shën Bartolomeun apostull me lëkurën e vet, në dorën e majtë, ku artisti ka lënë edhe autoportretin. Reliket e Shën Bartolomeut nderohen në Romë, në kishën që i kushtohet atij, në ishullin Tiberin, ku ndodhen edhe relike të tjera të martirëve të shekullit XX, përfshi shqiptarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.