(22.08.2010 RV)Festa e sotme, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua
nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31
maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian në muajin, kushtuar Zojës së Bekuar.
Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u
caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për të afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës
me lumnimin e saj, përmes Ngjitjes në Qiell. Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishti
Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Piu XII në letrën
enciklike ‘Ad Coeli Reginam’(11 tetor 1954), duke nisur nga titulli
Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të Korpit mistik, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë
e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror
të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit
mistik. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’
(mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po
ta shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues.
Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që
e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan
Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke
u lutur. E urdhërat nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është
hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtësisht
me të Ngjallurin. Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është
mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe
i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim
shqiptar, që i këndon: “T’ falem, Mbretneshë, e bukura! Mbi
krye tand ndritë kunora, Që e popujve edhè e kombeve Desht me
vendue dora, Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave, Toka ty t’ thotë
se t’ don!”.