2010-08-21 12:37:54

Shenjtorët e javës 22 gusht – 29 gusht 2010


Sot, 22 gusht, e diela XXI gjatë vitit kishtar, Kisha Katolike kremton festën e Zojës Mbretëreshë. Gjithashtu, përkujtohen edhe shën Timoteu, martir romak dhe shën Filip Benici, meshtar. Ungjilli i ditës na fton të përpiqemi të hyjmë në mbretërinë e Zotit “nga porta e vogël dhe e ngushtë” për të cilën flet Jezu Krishti.

Shpalluni të gjithë popujve mrekullitë e Zotit. Feja nuk është thjesht respektim i ligjeve dhe i rregullave. Në Ungjillin e së hënës, 23 gusht, Jezu Krishti përmend shtatë prej tyre dhe i dënon me zjarr. Feja nuk është diçka…që duhet bërë. Këtë na mëson edhe shën Roza nga Lima, që festohet në këtë ditë.

Të martën e ardhshme do të kremtojmë festën e shën Bartolomeut, apostull. Shenjtorët e tu o Zot, i thurin lavde mbretërisë tënde. Jezusi që na afrohet në rrugën e Emausit nuk përkon krejtësisht me imazhin që kemi për të. Vetëm nëse kemi një shpirt të pastër e pa gënjeshtra, paragjykimet bien dhe e njohim, siç e njohën dishepujt e tij. Kështu bëri edhe shën Gjovana Antida Turet, themeluese e Motrave të Bamirësisë, e cila kujtohet po në këtë ditë.

Më 25 gusht, ditën e mërkurë, bie festa e shën Ludovikut, mbret i Francës dhe e shën Jozef Kalasancios, themelues i Skolopëve. Në Ungjillin e kësaj dite, Jezusi e karahason hipokrizinë me varrin: i bukur jashtë, i kalbur brenda. Lum ai që ka frikën e Tënzot, sepse s’ka gjë më të keqe e më të rrezikshme se të luajmë pjesën për të gënjyer të tjerët, duke e ditur se asgjë nuk i fshihet Zotit, që sheh në mendje e në zemër.

Të enjten, 26 gusht, Shkrimi i Shenjtë vë theksin mbi orën e gjykimit të mbramë, të cilën nuk e di askush, as Biri, por vetëm Ati. Ajo që duhet të bëjmë është të përgatitemi e të rrimë zgjuar, pasi kur të vijë Zoti, duhet të na gjejë në vendin që na takon, syhapur. Të gatshëm ishin shenjtorët që kujtojmë këtë ditë: shën Zefirini, shën Athanasi dhe e Lumja Maria Beltrame Kuatroki.

Shën Monika, nëna e shën Agustinit ipeshkëv, kujtohet të premten, më 27 gusht. Ungjilli na tregon për virgjëreshat, që harruan t’i mbushnin llambat me vaj. “Ja dhëndrri! Shkoni ta takoni!” Këtu nuk pritet zotëria, por dhëndrri, e megjithatë, dikush nuk i bën mirë llogaritë. Sa të marra!

Të shtunën, 28 gusht, kremtohet festa liturgjike e shën Agustinit, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, si edhe ajo e shën Hermetit, martir. Lum populli i zgjedhur prej Zotit. Sidomos shën Agustini e kuptoi mirë sa e vështirë është të jetojmë si “shërbëtorë” të Zotit, gjithnjë të vetëdijshëm se ajo që jemi e që kemi i takon Atij, prandaj një ditë do t’i japim llogari.

Të dielën, e 22-ta e vitit kishtar, kujtojmë martirizimin e shën Gjon Pagëzuesit, apo të kremten e shën Gjon Kryepremit. Gjithashtu, bie edhe festa e shën Sabinës. Në Ungjillin e sotëm, Jezusi shfrytëzon një banket, ku merr pjesë, për të na mësuar dy virtyte për jetën: përvujtërinë dhe bamirësinë pa interes.








All the contents on this site are copyrighted ©.