2010-08-21 12:38:13

Shembëlltyrat: "Si duhet të jetojë njeriu, që dëshiron të ecë në gjurmët e Jezusit?


(22.08.2010 RV)Në emisionin e nëntë të rubrikës “Shembëlltyrat”, jemi përsëri para një pyetjeje të rëndësishme: “Si duhet të sillet njeriu, që dëshiron të marrë kryqin e vet e të ecë pas Jezusit?” Na e tregon vetë Zoti, përmes katër shembëlltyrave: ‘Samaritani i mirë (Lk 10,30-37), ‘I pasuri i pamend” (Lk 12,16-21), “Njeriu i pasur e Lazri skamnor” (Lk 16,19-31) dhe “Farizeu e tagrambledhësi” (Lk 18,9-14).
Jezusi mendon se pyetja, që i drejton skriba: “Kush është i afërmi im?”, është pa kuptim. Duhet zëvendësuar me një tjetër: “Kush është i afërmi i atij, që ka nevojë për ndihmë?”. Për Krishtin nuk ka rëndësi kush është e kush nuk është – i afërmi im. Rëndësi ka të jesh në çastin e duhur, pranë atij, që vuan, e ta ndihmosh. Prandaj dishepulli i Jezusit duhet t’i bëjë vetes pyetjen: “A jam unë i afërmi i nevojtarit, kushdo qoftë?”. Në të vërtetë njeriu bëhet ‘i afërm’ me tjetrin, jo sepse të dy i përkasin së njëjtës familje, se u rrjedh në dej i njëjti gjak, i përkasin të njëjtit komb, së njëjtës fe, ashtu si e kuptonin këtë koncept hebrenjtë e kohës së Jezusit. Njeriu më i afërt për nevojtarin, është pikërisht ai, i cili e ndihmon në çastin kur ka nevojë për një krah, që ta mbajë në këmbë; për një dorë, që t’ia lehtësojë vuajtjen, për një fjalë të mirë, që t’i japë dritë e shpresë. Kështu, me shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, i cili e ndihmon njeriun në vështirësi, ndonëse e di mirëfilli se është hebre, Jezusi na mëson se kur njerëzit kanë nevojë, nuk ekzistojnë pengesa etnike, as fetare, që mund ta kushtëzojnë ndihmën. As që duhet të mendohet për kushte. Duhet vetëm të jepet ndihma! Prandaj: “Mos ia moho ndihmën atij, që ta lyp, kur ti e ke në dorë t’ia bësh” (Fu 3,27).
Vjen pastaj shembëlltyra e “Pasanikut të pamend”, që duke pasur prodhime të begata nga tokat e tij, donte të ndërtone hambare të reja, të stërmëdha. Ëndërronte të mblidhte një mal me të lashta e t’i thoshte shpirtit të vet, të pangopur: “Shpirti im, tani ke sa deshe. Pusho, prandaj. Ha. Pi, Gëzo…!”. Thoshte kështu, pa menduar, se do të vdiste pikërisht atë natë.
Sa njerëz i mbështesin shpresat mbi pasurinë, që kanë grumbulluar, duke harruar se vdekja të troket në portë, kur e pret e kur s’e pret. Se s’ka pasuri në botë, që të shpëton nga fundi. E se mund të vdesësh pikërisht atë çast, kur mendon se i ke realizuar të gjitha ëndrrat, me udhë e pa udhë, si pasaniku i pamend i shembëlltyrës. I pamend, sepse s’dëshiron tjetër, veçse të grumbullojë pasuri. Lufton për kamjen, që do ta gëzojnë të tjerët. Në vend që të bëhet i pasur para syve të Zotit, duke kryer vepra dashurie e mëshire. Harron se “Bekimi i Zotit të bën të pasur, në sa mundi e djersa pa Të, nuk shton kurrgjë. Frika e Zotit t’i zgjat edhe ditët e jetës, ndërsa vitet e të mbrapshtit pakësohen!” (Fu 10,22-27).Kështu thotë Zoti, por njeriu nuk e ka të lehtë ta lëshojë pasurinë nga dora. Sa më i pasur të jetë, aq më shumë ka etje për pasje e aq më pak dashuri. Kështu pasuria bëhet idhull. Po idhulli nuk të shpëton nga vdekja. Kush adhuron idhujt, e humbet jetën, e shkapërderdh, sepse kush nuk ka dashuri, nuk ka as Zot!







All the contents on this site are copyrighted ©.