2010-08-21 12:36:00

Për herë të parë një pedagog katolik u jep mësim myslimanëve


(22.08.2010 RV)Qendra botërore e Islamit, Arabia Saudite, për herë të parë pranon që një profesor i teologjisë së krishterë të mbajë konferenca mbi dialogun ndërfetar në një nga universitetet e Riadit.
Javën e kaluar, përfundoi një cikël leksionesh për rreth 40 pedagogë sauditë, Leonard Suidler, profesor i teologjisë katolike dhe i dialogut ndërmjet feve në Universitetin Tempëll të Filadelfias. Mëse dhjetë prej pedagogëve sauditë ishin gra. Edhe vetë ateneu arab, që ftoi profesorin katolik, e konsideron këtë ngjarje si të jashtëzakonshme dhe si hap të rëndësishëm në ndryshimin e mentalitetit saudit ndaj krishterimit. Leksionet u zhvilluan pas një kursi javor organizuar në Amerikë, ku morën pjesë 14 pedagogë sauditë, të cilët, për herë të parë, dialoguan e u konfrontuan me kolegë të krishterë e hebrenj.
Vizita e Leonard Suidler në Arabinë Saudite shërbeu edhe për të diskutuar mbi bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet Universitetit “Mbreti Abdullah” dhe institutit të Filadelfias. Në universitetin saudit, ekziston një institut për dialogun ndërmjet qytetërimeve, hapur me dëshirën e vetë mbretit, pas takimit të tij me Benediktin XVI, në vitin 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.