2010-08-21 12:36:45

Botohet një libër i ri për Guareskin, krijuesin e don Kamilos.


(22.08.2010 RV)“Guareski. Fe e liri” është titulli i librit të fundit, shkruar nga Gjovani Lugarezi, kushtuar autorit të famshëm të don Kamilos. Në këtë vëllim (botuar nga Monte Università Parma), zbulohet forca shpirtërore e Gjovanino Guareskit, i cili si në jetë, ashtu edhe në art, u mbështet gjithnjë mbi shpresën e krishterë. Madje edhe atëherë, kur u detyrua të provojë internimin në një kamp përqendrimi nazist, gjatë Luftës II Botërore. Për këtë shkrimtar të madh, të njohur botërisht, e për librin e sapobotuar, flet, në mikrofonin tonë, vetë Gjovani Lugarezi:RealAudioMP3
 
Përgjigje: - Fe e liri në vepër, por edhe në jetë, janë dy themelet e këtij shkrimtari, sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të rrallë. Feja e Gjovanino Guareskit është ajo kristiano-katolike, të cilën ai e pranoi gjithnjë botërisht e edhe e praktikoi. Liria e tij është tipike për shpirtërat e lirë; liri e Birit të Zotit, liri e atyre, që kuptojnë, si na e mëson ai vetë, përmasën e parë, krejt shpitërore, e cila të kujton se je i lirë vërtet, pikërisht kur e ke shpirtin të lirë. Atëherë ti mund të jesh edhe në një kamp nazist e, megjithatë, ta ndjesh veten të lirë, sepse shpirtin tënd nuk mund ta mbërthejë kush brenda telave me gjemba, e as ta mbyllë pas hekurave të kryqëzuar.

Pyetje: - Po citoj një frazë nga libri: “Duhet hyrë me Guareskin në kampin nazist, për ta kuptuar vërtet fenë e shkrimtarit”...
 
Përgjigje: - Në kampin nazist ne e shikojmë Gjovanino Guareskin duke u përpjekur për t’i ndihmuar shokët e mjerimit, duke shkuar barakë në barakë për t’u lexuar shkrimet e tij, sepse ai mbeti humorist e karikaturist edhe atje, ku njeriu harronte shpejt të qeshte. Përpiqej të rezistonte, duke qeshur. Të dënonte me armën më të mprehtë: atë të gazit, të satirës. E t’i ndihmonte të rezistonin edhe shokët, me këtë armë. Ua mbante moralin lart, pikërisht duke shkruar e duke ua lexuar atë që shkruante. E pikërisht në këto ditë të vështira, kur jetonte si ushtarak italian i internuar, ai nisi të shkruante për Zotin, për Provaninë hyjnore. Që asokohe, gjithë shkrimet e tij përshkohen nga kjo lidhje, që shërben si kyç për leximin e gjithë veprës. Mjafton të shfletojmë faqet e don Kamilos, e ndërmjet Priftit e Pepones do të shikojmë gjithnjë të Kryqëzuarin mbi elterin e madh. Krishti, që përfaqëson ndërgjegjen e krishterë të Gjovaninos, nuk mund të flasë ndryshe, përveçse me fjalët e Ungjillit...

Pyetje: - Me që ra fjala për don Kamilon, a mund të na i kujtoni çastet më domethënëse të dialogut të tij me të Kryqëzuarin?

Përgjigje: - Çastet më domethënëse janë ato, kur don Kamilo, për shkaqe polemiko-politike, i kundërvihet keqas Pepones, që është kundërshtari i tij, e Krishti i kryqëzuar e qorton rregullisht e i kujton dashurinë e krishterë. Kjo është diçka shumë e madhe. Pastaj, nga ana tjetër, ne shikojmë se don Kamilo, edhe pse në polemikë të hapur me Peponen, nuk e humbet kurrë dashurinë e krishterë, jo vetëm për kundërshtarin e vet, por edhe për familjarët e tij. Don Kamilo është vërtet prifti që dëshirojnë njerëzit, prifti që i do njerëzit e vet.

Pyetje: - Ç’kuptim ka vepra e Guareskit në ditët tona e cili është mesazhi, që na përcjell?

Përgjigje: - Do të thosha se është një element tejet i rëndësishëm, i cili shkon përtej dy themeleve, që citova më lart, fesë e lirisë. E është ky: tek Guareski gjejmë gjithnjë një humanizëm të jashtëzakonshëm, gjejmë dashurinë për njeriun, që ngrihet mbi çdo ideologji, fiton mbi çdo ideologji. Nuk është e rastit, prandaj, që gjatë një sondazhi, bërë kohët e fundit për personazhet më të pëlqyera të letërsisë së ‘900-tës, 70% e përgjigjeve ishin për don Kamilon. Mendoj se ku sondazh të bën të reflektosh.







All the contents on this site are copyrighted ©.