2010-08-21 11:03:25

Benedikti XVI për Shën Piun X, që u përkujtua sot nga Kisha katolike.


(21.08.2010 RV)Sot Kisha katolike kremtoi kujtimin liturgjik të Shën Piut X, të cilit Papa i kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, 18 gusht 2010. Ja si na e paraqet Benedikti XVI figurën e këtij Pape të madh, shembulli i të cilit mbetet aktual edhe për barinjtë e besimtarët e sotëm:
“I lindur në provincën e Trevizos, në vitin 1835, bir i një familjeje fshatare, Gjuzepe Sarto u shugurua meshtar në moshën 23 vjeçare, duke u bërë, shumë shpejt, shembull i dashurisë së thellë për Krishtin e Kishën e tij, i përvujtërisë e i thjeshtësisë e, sidomos, i dashurisë së pafundme për nevojtarët, karakteristika themelore, këto, të të gjithë jetës së tij. Në vitin 1884 u emërua ipeshkëv i Mantovës, ndërsa më 1893, Patrik i Venedikut. Më 4 gusht 1903 u zgjodh Papë, detyrë të cilën e pranoi jo pa ngurrim, duke menduar se ishte i padenjë për një mision kaq të lartë. Por në të vërtetë nuk ishte kështu: papnia e Shën Piut X la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës. U karakterizua nga përpjekja e dukshme për reformim, e përmbledhur në moton e tij: “Instaurare omnia in Christo; Ta përtërijmë gjithçka në Krishtin”.
Të panumërta, nismat e Piut X: riorganizimi i Kuries Romake, fillimi i punës për hartimin e Kodit të së Drejtës Kanonike; rishikimi i studimeve dhe i punës për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm përmes themelimit të një sërë seminaresh zonale. E pati shumë për zemër përgatitjen doktrinore të popullit të Zotit, prandaj, që në vitet kur ishte famullitar, hartoi një katekizëm, ndërsa gjatë kohës kur ishte ipeshkëv në Mantovë, punoi që të arrihej në përgatitjan e një katekizmi të vetëm, në se jo universal, së paku italian. Si bari i vërtetë, e pati kuptuar se në situatën e kohës, edhe për shkak të fenomenit të emigrimit, ishte tejet i nevojshëm një katekizëm, të cilin mund ta përdorte çdo besimtar, pavarësisht nga vendi ku jetonte e nga rrethanat e jetës. Kur u bë Papë, përgatiti një tekst të doktrinës së krishterë për dioqezën e Romës, që më pas u përhap në të gjithë Italinë e në mbarë botën. Katekizmi i tij, i njohur si i ‘Piut X’, qe shumë vjet me radhë udhëheqës i sigurt për të gjithë ata, që dëshironin të njihnin të vërtetat e fesë. E kjo, edhe falë gjuhës së thjeshtë, të qartë e të saktë si dhe aftësisë për t’i shprehur kuptueshëm mendimet.
Vëmendje të veçantë i kushtoi edhe reformimit të liturgjisë, posaçërisht muzikës kishtare. U përpoq, kështu, t’u krijonte besimtarëve kushtet e përshtatshme për të marrë pjesë plot me devocion në lutje dhe në kremtimin e sakramenteve. Ai pohon se shpirti i vërtetë i krishterë e ka burimin e tij të parë e të domosdoshëm, në pjesëmarrjen aktive ndër misteret shenjte si dhe në lutjen publike e solemne të Kishës. Prandaj i porositi besimtarët t’u afrohen sa më shpesh sakramenteve, Kungimit shenjt të përditshëm, sidomos, pas një rrëfimi të mirë, si edhe t’i përgatisin bijtë për Kungimin e parë rreth moshës shtatë vjeçare, kur fëmija nis të arsyetojë.
Besnik ndaj detyrës për t’i përforcuar vëllezërit në fe, përballë disa prirjeve, që u shfaqen në fushën teologjike në fund të shekullit XIX e në fillim të të XX-it, Shën Piu X ndërhyri me vendosmëri, duke dënuar, pa mëdyshje, ‘modernizmin”, për t’i mbrojtur besimtarët nga konceptime të gabuara e për të nxitur thellimin shkencor të Zbulesës, në përkim të plotë me traditën e Kishës. Në vitin 1909 themeloi Institutin Papnor Biblik. Në sa Papa reformator numëronte ditët e fundit të jetës, bota nisi të vringëllonte armët, duke i hapur rrugën shpërthimit të Luftës I Botërore. Thirrja drejtuar katolikëve të botës, më 2 gusht 1914, përplot me dhimbje të thellë për atë që po ndodhte, ishte britmë e thekshme e një ati, i cili i shikon bijtë duke ia kërcëlluar dhëmbët njëri-tjetrit. Vdiq pak ditë më vonë, më 20 gusht, e fama e shenjtërisë së tij nisi të përhapej menjëherë në gjirin e popullit të krishterë.
Shën Piu X na mëson të gjithëve se në bazë të veprimtarisë sonë apostolike, sipas fushave të ndryshme në të cilat veprojmë, duhet të jetë lidhja sa më e thellë personale me Krishtin, që duhet kujdesuar e duhet rritur ditë për ditë: kjo është bërthama e gjithë mësimit dhe impenjimit të tij baritor. Vetëm të dashuruar me Zotin, mund të bëhemi të aftë t’i çojmë njerëzit tek Hyji e t’i mësojmë t’ia hapin zemrat dashurisë së tij përdëllyese, duke ia hapur, kështu, mëshirës hyjnore, edhe dyert e botës.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.