Sot Kisha kujtoi Shën Bernardin. Papa: na mëson se teologjia e vërtetë, është takimi
vetjak me Jezusin.
(20.08.2010 RV)Kisha kujtoi sot në liturgji Shën Bernardin e Kiaravales. Shenjti,
që jetoi në shekullin XII, numërohet ndërmjet Dijetarëve të Kishës e njihet si një
nga Etërit e saj të fundit, që mblodhi, me aftësi e urti, trashëgiminë e pasur të
doktrinës patristike. Figurës e mësimeve të tij, Benedikti XVI i ka kushtuar dy audienca
të përgjithshme. Së bashku me këtë Shenjt, pohon Papa, edhe ne duhet të pranojmë se
njeriu e kërkon më mirë Zotin dhe e gjen më lehtë me lutje e me kundrim, sesa me ushtrimin
e arsyes. “T’i kushtohet
vëmendje e dorës së parë përvojës së gjallë e të thellë të takimit me Zotin”: ky është
qëllimi i teologjisë, sipas Bernardit të Kiaravales (1090-1153), i cili arriti ta
përtërinte thellë jetën murgare të kohës; u kujtoi me vendosmëri murgjërve nevojën
e një jete të thjeshtë e të matur, duke i porositur të kujdesen posaçërisht për të
varfërit; i mori nën mbrojtje hebrenjtë, duke dënuar haptazi ripërhapjen e antisemitizmit;
iu kundërvu herezisë së Katarëve të cilët, duke përbuzur materien, përbuznin vetë
Krijuesin. Por Papa vë theksin kryesisht mbi dy aspekte kryesore të Doktrinës së Bernardit:
të Jezusit e të Marisë: “Për Bernardin, Hyji mund të njihet përmes përvojës
vetjake, të thellë, të takimit me Jezu Krishtin e me dashurinë e tij. E kjo vlen
për çdo të krishterë: feja, mbi të gjitha është takim personal, intim, me Jezusin,
përvojë e afërsisë së tij, e miqësisë e tij, e dashurisë e tij. E vetëm kështu njeriu
mëson ta njohë gjithnjë më shumë, ta dojë e ta ndjekë gjithnjë më mirë”(Audienca
e përgjithshme, 21 tetor 2009). Shën Bernardi, na kujton Papa, ishte i dashurar
me Jezusin e me Marinë. Dante Aligieri, në Komedinë Hyjnore, e paraqet si autorin
e lutjes sublime, drejtuar Zojës së Bekuar: “Virgjin e Nanë, e bija e tand biri/,
ti e përvujtë e e naltë, mbi kreatyrët të tana...”. Është një dashuri të cilën, vëren
Papa, edhe sot teologët duhet ta kenë mirë parasysh: “Nganjëherë
pretendohet se çështjet themelore mbi Zotin, mbi njeriun e mbi botën, mund të zgjidhen
vetëm me forcën e arsyes. Ndërsa Shën Bernardi, duke u mbështetur fuqimisht mbi Biblën
dhe mbi Etërit e Kishës, na kujton se pa besimin e thellë në Hyjin, të ushqyer nga
lutja, nga kundrimi e nga lidhja e ngushtë me Zotin, reflektimet tona mbi misteret
hyjnore ka rrezik të përfundojnë në një ushtrim të kotë intelektual e ta humbasin
besueshmërinë e tyre”. Së bashku me Bernardin e Kiaravales, porosit
Papa, edhe ne duhet të pranojmë se njeriu e kërkon më mirë Zotin dhe e gjen më lehtë
me lutje, sesa me diskutim: “Në fund të fundit, figura më e vërtetë e teologut
dhe e çdo ungjillëzuesi mbetet ajo e Shën Gjonit Apostull, që mbështeti kokën mbi
zemrën e Mësuesit (Audienca e përgjithshme, 21 tetor 2009). Benedikti
XVI kujton edhe se “teologjisë së zemrës” të Shën Bernardit, iu kundërvu Abelardi,
me teologjinë e tij të arsyes: Bernardi nuk pajtohet lehtë me Abelardin, e, më në
përgjithësi, me ata që ia nënshtronin të vërtetën e fesë shqyrtimit kritik të arsyes;
shqyrtim që, sipas tij, krijonte një rrezik të madh, atë të intelektualizmit, të
relativizimit të së vërtetës, të vënies në diskutim të vetë së vërtetës së fesë. E
këtu Benedikti XVI ripohon se parimet që këshillon filozofia, kanë vetëm vlerën
e mjeteve, e duhet të jenë në drejtpeshim me ato, që Papa i quan ‘parime arkitektonike”
të Zbulesës. Në se ky drejtpeshim prishet, i takon Magjisterit ta rivendosë, duke
i mbrojtur besimtarët më të thjeshtë nga argumentime teologjike, që mund ta rrezikojnë
fenë e tyre. Është edhe një nga mësimet e mëdha të kësaj polemike të lashtë. Një mësim
tjetër na japin këto dy figura të ndritura që, ndonëse kundërshtarë të flaktë, nuk
harronin, në fund, vlerën më të madhe: atë të pajtimit. Abelardi u tregua i përvujtë
duke pranuar gabimet e tij, Bernardi iu përgjigj me dashamirësi: “Të dy vunë,
mbi gjithçka, pikërisht atë që duhet ta ketë për zemër kushdo, kur lind një polemikë
teologjike, domethënë mbrojtjen e fesë së Kishës dhe përpjekjen për triumfin e së
vërtetës, të thënë me dashuri. Uroj që kjo të jetë edhe sot mënyra e ballafaqimit
në Kishë, duke pasur gjithnjë si qëllim, kërkimin e së vërtetës”.