2010-08-20 16:59:13

Shtegtimi i Papës në Mbretërinë e Bashkuar. Atë Lombardi: rast për të treguar bukurinë e fesë.


(20.08.2010 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi programin e shtegtimit apostolik të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, më 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me rastin e Lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njumën. Shtegtimi i 17-të ndërkombëtar i Benedikti XVI shquhet jo vetëm për veprimtari të ngarkuara, por edhe për përmasa të shumta: baritore e ekumenike, shoqërore e kulturore. Për pasurinë e kësaj vizite të Benediktit XVI në Mbretërinë e Bashkuar, të ndjekim komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi.RealAudioMP3
Përgjigje: - Programi është shumë i pasur, i ngarkuar me veprimtari, i detajuar. Sigurisht pritet me interes të madh e me emocion dita e parë, kur Papa do të takohet me Madhërinë e Saj, Mbretëreshën. E edhe dita e takimit me Skocinë, pjesë tejet e rëndësishme e këtij shtegtimi. Dëshiroj të kujtoj, veç të tjerave, se dita kur Papa do të jetë në Skoci, është dita e festës së Shën Ninianit, pajtor e ungjillëzues i vendit. Prej këndej, ditë tejet e rëndësishme për skocezët. Besojmë se do të jetë një festë e madhe, një çast vërtetë i bukur. Pastaj, dëshiroj të nënvizoj edhe fjalimin e Papës në Komunën e Uestminsterit; takimin me shoqërinë, me botën e kulturës, me të gjithë përfaqësuesit më aktivë e më me autoritet të shoqërisë angleze. Ky, besoj, do të jetë një nga çastet, që do të ndiqet me vëmendje të madhe. Papa do të prekë, me horizont tejet të gjërë, problemet e shoqërisë së Mbretërisë së Bashkuar në botën e sotme. Kemi, pastaj, edhe përmasën ekumenike, dmth takimin me Primatin anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit: kremtimi ekumenik ka, natyrisht, një domethënie të madhe. E dimë edhe se është një çast delikat për anglikanizmin, për debatet e brendshme. Çast delikat është edhe për marrëdhëniet me Kishën katolike, sepse debatet e brendshme pasqyrohen edhe në marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve e katolikëve. Pastaj, ngjarja përfundimtare, që do të ketë dy çaste kryesore: mbrëmësoren e lutjeve në Haid Park, në Londër, dhe Lumnimin, në Birmingem, të kardinalit Njumën. Pra, me këtë figurë, që mund të themi se është zemra shpirtërore e kësaj vizite, përfundon edhe shtegtimi. E dimë se Papa e pranoi ftesën për këtë shtegtim, pikërisht me rastin e Lumnimit të Njumën.

Pyetje: - Nuk janë të paktë ata, që kanë parë një lidhje të posaçme ndërmjet Njumën, këtij bariu të madh intelektual të shekullit XIX - e Jozef Razinger, Benediktit XVI. Reflektimi juaj?
 
Përgjigje: - Është, sigurisht, me bazë, të shikosh një lidhje të tillë, sepse edhe në figurën e Papës, Benediktit XVI, kemi një sintezë të thellë ndërmjet fesë e arsyes, e dëshroj të shtoj, edhe përshpirtërisë. Kemi një lidhje të dukshme në të jetuarit e dëshmisë së krishterë në botën e sotme, në botën moderne, duke ua dhënë të gjitha arsyet e fesë së krishterë, atyre që i kërkojnë, duke arsyetuar pse shpresojmë në botën e sotme, duke shprehur një fe të thellë, një pëshpirtëri shumë të vëmendshme, shumë të madhe, shumë të gjallë, e edhe një ndjeshmëri baritore shumë të gjërë. Figura e Njumën është thellësisht e plotësuar, figurë tejet joshëse, pikërisht për gjërësinë e saj, për përmasën jo vetëm intelektuale e kulturore, por edhe për atë baritore. Aftësia e tij për të dhënë idenë e plotë të impenjimit kulturor në botën e sotme, është diçka jashtëzakonisht e madhe, jashtëzakonisht tërheqëse. Sigurisht është një figurë e zgjedhur për t’i paraqitur shoqërisë moderne dinjitetin e dëshmisë së krishterë, si e aftë për të përballuar problemet e për t’u dhënë përgjigje pyetjeve më të mprehta, që bën njeriu i sotëm.

Pyetje: - Është folur shumë, këto ditë, për të ashtuquajturat ‘bileta’, që duhen siguruar, për të marrë pjesë në disa takime, siç është, për shembull, mbrëmësorja e lutjes në Haid Park. Koordinatori i shtegtimit, imzot Samersgill, shpjegon se është fjala për një kontribut jo të detyrueshëm, që besimtarët mund ta japin sipas dëshirave e ndjeteve të tyre. Dëshironi të thoni diçka, lidhur me këtë? RealAudioMP3

Përgjigje: - Po, besoj se është e drejtë ta cekim edhe këtë, ndonëse në vetvete është diçka krejt anësore, në krahasim me rëndësinë e temave kryesore të këtij shtegtimi. Janë shkruar e janë thënë gjëra fare të pathemelta. Dëgjova, për shembull, të thuhet se Vatikani paska kërkuar të paguhet bileta për të hyrë në Meshë, prirje kjo për ta ngarkuar edhe Vatikanin me përgjegjësi të karakterit thjesht organizativ. Kjo është krejtësisht e gabuar. Duhet kujtuar se Papa shkon në një vend, sepse është ftuar; është ftuar nga autoritetet më të larta të Shtetit, nga Mbretëresha e nga qeveria, e edhe nga Kisha vendase. Prej këndej, natyrisht që shpenzimet dhe impenjimet organizative të vizitës i takojnë atij, i cili të ka ftuar. Nuk është Papa që e vetorganizon shtegtimin në Angli. Prej këndej, së pari duhet theksuar se Vatikani nuk ka të bëjë fare me këtë problem. Kjo lidhet, kryesisht, me masat organizative të Kishës vendase, pa harruar se në këtë drejtim impenjohen edhe autoritetet civile. Për shembull, një kërkesë jo e zakonshme është ajo, që i ndalon njerëzit të shkojnë lirisht në këmbë tek vendi i ngjarjeve të mëdha; tri ngjarjeve të mëdha publike; duhet të shkojnë me mjete transporti të organizuara e duhet edhe që të gjitha vendet të jenë të shënuara me numër jashtëzakonisht të saktë. Nuk është, pra, mënyra e zakonshme e pjesëmarrjes së njerëzve në ngjarjet e mëdha, gjatë shtegtimeve të Papës. Atëherë duhet pasur parasysh se një organizim i tillë nuk i takon Kishës, por autoriteteve civile, që e kanë imponuar këtë masë, për arsye sigurie. Prej këndej, autoritetet kishtare detyrohen të formojnë grupe besimtarësh, që të mund të shkojnë së bashku, me mjete të organizuara transporti, duke e pajisur çdo besimtar me një leje të veçantë kalimi, një lloj pasaporte, që do t’i dorëzohet secilit, së bashku me një 'kit’, apo çantë, e cila përmban të gjitha udhëzimet e nevojshme, si për veprimtaritë, ashtu edhe për vendet ku do të zhvillohen ngjarjet. Prandaj, çdo grup, që do të marrë pjesë, duhet të japë një farë kontributi. Sesi do të jepet, pastaj, ky kontribut, nga pjesëmarrësit, kjo varet nga famullia ose nga dioqeza, që organizon grupet. Nuk është, prandaj, fjala për të paguar biletën e hyrjes në Meshë. Besoj se duke e shpjeguar këtë situatë, mund të kuptohet më mirë edhe çështja e diskutuar. Edhe përsa i përket, për shembull, pranisë së mediave, të gazetarëve, ka disa rregulla e disa udhëzime tejet impenjative, shumë më të tepërta, se në shtegtimet e tjera të Papës. Por kjo nuk varet nga Vatikani, e as nga Kisha vendase.

Pyetje: - Në përfundim, ç’pritet nga ky shtegtim, pothuajse 30 vjet pas vizitës së Gjon Palit II në Britaninë e Madhe?

Përgjigje: - Situata, edhe ajo shoqërore e kulturore, parë në këndvështrimin e zhvillimit, është shumë e ndryshme, sepse shoqëria ka ecur përpara gjatë këtyre viteve. E ndryshme është edhe natyra e vetë vizitës, që ka pamjen e vizitës së Shtetit, me ftesë zyrtare nga ana e Mbretëreshës dhe e Qeverisë, ndërsa ajo e Gjon Palit II ishte më shumë baritore. Do të thosha se ajo që pritet, që mund të dëshirohet vërtet nga kjo vizitë, është se përmes saj shpresojmë të kuptohet më mirë e të paraqitet në mënyrë më të plotë shërbimi i fesë së krishterë dhe shërbimi i Kishës katolike, në një shoqëri shumë të zhvilluar, por njëkohësisht edhe shumë të shekullarizuar, siç ësht, ajo e Mbretërisë së Bashkuar. Një realitet në të cilin, ndoshta, shumë njerëz dëshirojnë të dinë më shumë për vlerën e dëshmisë së krishterë e të dëshmisë katolike në shoqëri. Prej këndej, për të kuptuar se kjo është dhuratë për shoqërinë, është pasuri, që ofron Kisha me shërbimin e saj shpirtëror, por edhe me impenjimin në fushën e edukimit, të mbrojtjes së shëndetit, të bamirësisë. E kjo s’është gjë e paktë, por tejet e rëndësishme.
Ja, pra, shpresojmë se shtegtimi i Papës do të jetë ndihmesë për ta kuptuar këtë frymë pozitive, mike, të Kishës katolike e të fesë së krishterë, në një shoqëri që, në shumë aspekte, nuk është më aq e vetëdijshme. Dëshiroj të shtoj edhe se shtegtimet e Papës këtë vit - ai i Maltës, i Portugalisë e i Qipros – ishin shumë pozitive. Urojmë, prandaj, që edhe ky shtegtim të jetë vërtet shprehje e bukurisë dhe e mirësisë së shërbimit të Atit të Shenjtë në shoqëri, aq më tepër në një kohë, kur nuk kanë munguar kundërshtarët e kundërshtimet. E urojmë edhe që të ridalë në pah me sukses ana pozitive, themelore, e shërbimit që i bën Kisha shoqërisë së sotme, shoqërisë moderne, pluralistike e edhe të shekullarizuar, që të mos e harrojë, por madje të dijë ta çmojë në mënyrë të re, kontributin pozitiv, që jep feja.







All the contents on this site are copyrighted ©.