2010-08-20 15:12:47

Koncert e veprimtari të tjera për Nënë Terezën në Shqipëri


(20.08.2010 RV)Jo vetëm Kisha Katolike përkujton Nënë Terezën. Filloi dje me një koncert gala në Durrës, java e aktiviteteve që i paraprin 26 gushtit, 100-vjetorit të lindjes së të Lumes shqiptare të bamirësisë. Në amfiteatrin romak të qytetit bregdetar u mblodhën tenorë e baritonë nga Shqipëria dhe nga Evropa, me pjesëmarrjen e Grupit të Solistëve Operistikë dhe me shoqërimin e Orkestrës Simfonike të Durrësit, për të ekzekutuar “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit, “Margjelo”-në e Prenk Jakovës, “Ave Marinë” e Shubertit e shumë pjesë të tjera muzikore.
Këto ditë, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë është hapur ekspozita “Dymbëdhjetë shenjtorët”, me vepra të Nënë Terezës dhe me paraqitjen e shenjtorëve të krishterë, që kanë të bëjnë me botën shqiptare. Do të shfaqen edhe filma dokumentarë.
Më 26 gusht, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, do të hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, me fotografi dhe objekte të saj. Po këtë ditë, Teatri i Operës dhe i Baletit në Tiranë organizon koncertin “Rruga e jetës sime”. Gjithashtu, do të shpërndahen çmime për esenë, krijimtarinë më të mirë muzikore kushtuar së Lumes shqiptare dhe do të shpallet konkursi për ndërtimin e memorialit të saj në kryeqytetin e Shqipërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.