2010-08-19 12:03:01

Programi i shtegtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar. Atë Lombardi: rast për të treguar bukurinë e fesë (Pjesa I).


(19.08.2010 RV)RealAudioMP3 Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi dje programin e shtegtimit apostolik të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, më 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me rastin e Lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njumën. Shtegtimi i 17-të ndërkombëtar i Benedikti XVI shquhet jo vetëm për veprimtari të ngarkuara, por edhe për përmasa të shumta: baritore e ekumenike, shoqërore e kulturore. Për pasurinë e kësaj vizite të Benediktit XVI në Mbretërinë e Bashkuar, të ndjekim komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ju ftojmë të ndiqni pjesën e parë të intervistës, dhënë Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Programi është shumë i pasur, i ngarkuar me veprimtari, i detajuar. Sigurisht pritet me interes të madh e me emocion dita e parë, kur Papa do të takohet me Madhërinë e Saj, Mbretëreshën. E edhe dita e takimit me Skocinë, pjesë tejet e rëndësishme e këtij shtegtimi. Dëshiroj të kujtoj, veç të tjerave, se dita kur Papa do të jetë në Skoci, është dita e festës së Shën Ninianit, pajtor e ungjillëzues i vendit. Prej këndej, ditë tejet e rëndësishme për skocezët. Besojmë se do të jetë një festë e madhe, një çast vërtetë i bukur. Pastaj, dëshiroj të nënvizoj edhe fjalimin e Papës në Komunën e Uestminsterit; takimin me shoqërinë, me botën e kulturës, me të gjithë përfaqësuesit më aktivë e më me autoritet të shoqërisë angleze. Ky, besoj, do të jetë një nga çastet, që do të ndiqet me vëmendje të madhe. Papa do të prekë, me horizont tejet të gjërë, problemet e shoqërisë së Mbretërisë së Bashkuar në botën e sotme. Kemi, pastaj, edhe përmasën ekumenike, dmth takimin me Primatin anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit: kremtimi ekumenik ka, natyrisht, një domethënie të madhe. E dimë edhe se është një çast delikat për anglikanizmin, për debatet e brendshme. Çast delikat është edhe për marrëdhëniet me Kishën katolike, sepse debatet e brendshme pasqyrohen edhe në marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve e katolikëve. Pastaj, ngjarja përfundimtare, që do të ketë dy çaste kryesore: mbrëmësoren e lutjeve në Haid Park, në Londër, dhe Lumnimin, në Birmingem, të kardinalit Njumën. Pra, me këtë figurë, që mund të themi se është zemra shpirtërore e kësaj vizite, përfundon edhe shtegtimi. E dimë se Papa e pranoi ftesën për këtë shtegtim, pikërisht me rastin e Lumnimit të Njumën.

Pyetje: - Nuk janë të paktë ata, që kanë parë një lidhje të posaçme ndërmjet Njumën, këtij bariu të madh intelektual të shekullit XIX - e Jozef Razinger, Benediktit XVI. Reflektimi juaj?
 
Përgjigje: - Është, sigurisht, me bazë, të shikosh një lidhje të tillë, sepse edhe në figurën e Papës, Benediktit XVI, kemi një sintezë të thellë ndërmjet fesë e arsyes, e dëshroj të shtoj, edhe përshpirtërisë. Kemi një lidhje të dukshme në të jetuarit e dëshmisë së krishterë në botën e sotme, në botën moderne, duke ua dhënë të gjitha arsyet e fesë së krishterë, atyre që i kërkojnë, duke arsyetuar pse shpresojmë në botën e sotme, duke shprehur një fe të thellë, një pëshpirtëri shumë të vëmendshme, shumë të madhe, shumë të gjallë, e edhe një ndjeshmëri baritore shumë të gjërë. Figura e Njumën është thellësisht e plotësuar, figurë tejet joshëse, pikërisht për gjërësinë e saj, për përmasën jo vetëm intelektuale e kulturore, por edhe për atë baritore. Aftësia e tij për të dhënë idenë e plotë të impenjimit kulturor në botën e sotme, është diçka jashtëzakonisht e madhe, jashtëzakonisht tërheqëse. Sigurisht është një figurë e zgjedhur për t’i paraqitur shoqërisë moderne dinjitetin e dëshmisë së krishterë, si e aftë për të përballuar problemet e për t’u dhënë përgjigje pyetjeve më të mprehta, që bën njeriu i sotëm.

Transmetuam pjesën e parë të intervistës së atë Federiko Lombardit për shtegtimin apostolik të Papës në Mbretërinë e Bashkuar, më 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me rastin e Lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njumën. Nesër, pjesa II, në të cilën drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë sqaron disa nga pikat më të diskutuara të karakterit organizativ, duke u ndaluar edhe tek rezultatet që priten nga ky shtegtim, 30 vjet pas vizitës historike të Gjon Palit II në Angli. Pjesa II e intervistës, në emisionin tonë të ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.