2010-08-19 15:31:36

OKB-ja bën thirrje të fuqishme për të ndihmuar të përmbyturit në Pakistan.


(19.08.2010 RV)RealAudioMP3 Kombet e Bashkuara i drejtuan dje një thirrje të thekshme bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar të përmbyturit në Pakistan. Deri tani, shpjegon OKB-ja, janë garantuar pothuajse gjysma e 459 milion dollarëve që nevojiten për ndihmat e shpejta aq të nevojshme në Pakistan, e edhe këto mezi janë mbledhur.
Në mikrofonin tonë flet zëdhënësi i zyrës së OKB-së për bashkërendimin e Çështjeve Humanitare në Pakistan, Mauricio Xhuliano:

Përgjigje: Përpara së gjithash duhet të them se nuk është pak. Përgjigja e donatorëve deri tani ka qenë mjaft shpresëdhënëse. Duhet të dimë se deri para tri-katër ditësh, përgjigja ishte më pak se 30 përqind. Arritëm që brenda pak ditësh të kapim 45 përqindshin, e po qe se llogarisim edhe paratë që kanë premtuar se do t’i çojnë, mbërrijmë aty rreth 54 përqindshit. Pra, nga njëra anë është sigurisht një përgjigje pozitive dhe shpresëdhënëse, por nga ana tjetër, në fakt, përgjigjet duhet të jenë më të shpejta, sepse po qe se nuk lëvizim shpejt shumë vetë mund të vdesin nga sëmundjet shkaktuar nga mungesa e ujit ose nga ato që mbartin insektet.

Pyetje: Cilat janë shqetësimet e juaja?

Përgjigje: Sigurisht, sëmundjet që lidhen me mungesën e ujit të pijshëm. Në një kontekst si ky ku shëndeti mund të cënohet lehtësisht ngaqë ushqimi nuk mjafton dhe ngaqë jetojnë jo në shtëpi, por në çadra ose nën qiellin e hapur, ngjitur me njëri-tjetrin, në një situatë si kjo pra, njerëzit infektohen më lehtë dhe mungesa e ujit dhe e barnave është vdekjeprurëse. Jemi të sigurtë se vdekja shkaktuar nga disa sëmundje është në rritje.

Pyetje: Po përsa i përket sigurisë së rendit publik, a keni hasur në ndonjë vështirësi?

Përgjigje: Pakistani është padyshim një vend ku shqetësimi për rendin ekziston dhe kjo gjë nuk ndihmon aspak. Sidoqoftë, deri tani nuk kemi pasur pengesa të tilla në punën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.