2010-08-19 12:02:33

E Lumja Nënë Terezë, në 100 vjetorin e lindjes


(19.08.2010 RV)Dëgjues të nderuar vijojmë të flasim mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes të së Lumes Nënë Terezë. Ndoshta është e lehtë për t’u treguar jeta e Nënë Terezës, por aspak e lehtë për t’u jetuar. Asaj, shqiptares së larguar nga familja e saj e nga Shkupi i saj, iu desh të provonte shumë largime të tjera, për t’iu përgjigjur thirrjes së Krishtit. Shumë të hidhura këto largime, tepër të ngarkuara me vështirësi e, sidomos, me mall për atë që kishte lënë pas, më parë për familjen e prindërve, pastaj për familjen shpirtërore, për Kongregatën e Loretos. Për këtë mall na flet e Lumja Terezë në emisionin e sotëm:
Më 1948 u largova nga Kongregata e Motrave të Zojës së Loretos. Ditën që e lashë Kongregatën time, në sa sillesha për herë të parë rrugëve të Kalkutës, m’u afrua një meshtar. Më kërkoi lëmoshë për të ndihmuar shtypin katolik. Isha larguar nga Kongregata ime me 5 rupie në xhep, prej të cilave, katër ia kisha dhënë të varfërve. Ngurrova një çast, por pastaj nxora nga xhepi rupien që më kishte mbetur e ia dhashë meshtarit.
Po atë pasdite, meshtari erdhi të më takonte. Në dorë kishte një zarf. Më rrëfej se ia kishte dorëzuar një njeri, i cili kishte dëgjuar të flitej për planet e mia, e prandaj edhe donte të ndihmonte. E hapa zarfin: kishte brenda pesë rupie.
Atë çast ndjeva thellë në shpirt se Zoti kishte filluar ta bekonte veprën, e se nuk do të më lëshonte kurrë dore. Motrat e Kongregatës së Loretos nuk më penguan fare, kur vendosa të largohem prej kuvendit.
Përkundrazi, më kuptuan e më ndihmuan. Gjithsesi nuk e pata aspak të lehtë: largimi nga Kongregata e Loretos ishte për mua një flijim i madh. Madje mund të them se ishte gjëja më e vështirë që kisha provuar deri atë çast. M’u duk edhe më e vështirë se largimi nga familja e nga vendi im për të hyrë, për herë të parë, në kuvend. Për mua Kongregata e Loretos ishte gjithçka. Aty isha ushtruar për herë të parë shpirtërisht.
Aty isha bërë murgeshë. Në këtë Kongregatë ia kisha kushtuar plotësisht vetveten Jezusit. E, më pëlqente shumë t’u jepja mësim vajzave.







All the contents on this site are copyrighted ©.